Pavarësisht se në Kosovë viteve të fundit sidomos ka ndryshuar dukshëm tregu i punësimit dhe tashmë nuk ka diskrepancë në mes të publikes dhe privates sa i përket interesimit nga të rinjtë, gjatë studimeve integrimi ishte një nga brengat kryesore që mund të kemi pasur unë dhe shokët e shoqet e mia. Megjithatë, për mua, një ditë, një e-mail ndryshoi gjithçka…
Shkruan: Mirjeta Alshiqi, Asistente e Bordit Menaxhues në BPB
Kthimi nga një vend perëndimor pas rreth dy muajsh punë përmes vizës studentore, më përballi me një situatë ndryshe nga ajo se çka kisha menduar si realitet që do të më ngjante pas studimeve. Duke e parë tregun e punës jashtë Kosovës, megjithatë me dëshirën e madhe që të angazhohesha në fushën time të studimeve në vendin tim, fatkeqësisht kishte muaj që isha e bindur se nuk do të e kisha hapësirën për të bërë të njëjtën, sepse në konkurse ishte gjithmonë një kryerresht ku specifikohej se përvoja e punës është e domosdoshme.
Tashmë isha unë, një 23-vjeçare me motiv për të ndryshuar diçka për veten, e dalë nga studimet mirëpo e paangazhuar në treg. Ndoshta kisha filluar të mendoja se ky rresht ishte bërë përshkrim për mua dhe si të tillë më shihnin në çdo aplikim që dërgoja.
Do të doja shumë që ky rrugëtim i imi të mos fliste edhe në zërin e shumë të tjerëve që nuk kanë zgjedhur për studime profesionet që tashmë në treg janë “in”, por një rrugë që si 18-vjeçar ndoshta nuk e kemi ditur se do të ishte aq sfiduese.
Siç e ceka edhe në fillim, edhe pse dikujt mund t’i duket klishe të thuhet, por me të vërtetë, për mua një ditë dhe një e-mail, ndryshoi gjithçka.
Universiteti i Prishtinës kishte ndarë me studentët e saj një e-mail informues, “me mundësi punësimi”, të jem e sinqertë ishte ajo se çka më ra në sy për herë të parë, ndonëse pastaj programi që bënte thirrjen për aplikime, dukej pak surreal për mua si studente e Shkencave Politike.
Vendimi për të marrë pjesë në sesionin informues që do të zhvillohej atëherë në Bibliotekën Kombëtare ndodhi duke pasur këto pikëpyetjet që sot i them me zë të lartë, por, sot kur kthehem në retrospektivë është një nga vendimet më të mençura që kisha marrë për një kohë të gjatë.
Salla e amfiteatrit mu duk atë ditë që ishte mbushur me pikëpyetjet e mia, që posa nisi prezantimi u zhdukën ngadalë, dhe nga aty dola e bindur se gjëja e parë që do të bëja ishe të aplikoja në këtë thirrje, me shpresën që unë do të isha në mesin e fatlumëve për t’u bërë Junior i gjeneratës më të re.
Fakti që ishin rreth 300 persona që po konkurronin për të njëjtën program dhe unë isha ajo e vetmja që aplikonte nga shkencat politike, me bëri të përballem edhe me një frikë nga zhgënjimi eventual.
Programi Junior i BPB-së, doli të ishte ajo që po pritja të gjeja për një kohë të gjatë. Rreth 35 studentë të drejtimeve të ndryshme ishim fatlumët e rekrutuar për program.
Për tre muaj që shkuan shumë shpejtë për shkak të dinamikës së programit, ne – dhe këtu po flas në emër të të gjithëve fituam njërën nga përvojat dhe arritjet më të mëdha sa i përket avancimit të njohurive dhe moduleve me qëllim përgatitjen për tregun e punës.
Fakti që Junior filloi me prezantimin e vlerave, misionit dhe vizionit të Bankës së Vendit, na mishëroi qysh në start me strategjinë që BPB ndjek. Ndërkaq, takimi përmes programit me udhëheqësit e departamenteve të Bankës që na shpjeguan në detaje proceset dhe punën në mënyrë që të arrijmë përgatitjen e nevojshme për të gjitha fushat, por edhe të krijojmë një ide se cila nga këto fusha ishte ajo ku ne e shihnim zhvillimin në karrierë. Gjithashtu, edhe Bordi Menaxhues ka mbajtur sesionet e tyre të trajnimit në kuadër të programit. Një rëndësi të veçant ka pasur trajnimi i Etikës që konsideroj se është një nga modulet më të rëndësishme për të mësuar vlerat kryesore që një punonjës duhet t’i ketë.
Junior nuk ishte thjesht një modul trajnimi i zakonshëm, ne po paguheshim në të njëjtën kohë sa trajnoheshim intenzivisht për t’u bërë bankier, dhe kjo na jepte edhe më shumë vullnet për të treguar secili atributet më të mira dhe për t’u angazhuar që në fund të ishim jo vetëm Junior, por edhe të punësuarit e rinj të BPB-së.
Përveç trajnimeve, për rreth një muaj, kemi kaluar me praktikën në degë. Eksperienca e fituar përmes mundësimit që të plotësojmë kërkesat e klientëve, takimet, vizitat dhe pjesëmarrja në komitete ka krijuar një staf të konsoliduar në institucion, me besueshmëri të plotë për vendimet që ata marrin.
Sot, kur janë bërë një vit nga përfundimi i programit, gjeneratës së 6-të, derisa nëpër të po kalon një gjeneratë e re e të rinjve, po e shkruaj këtë artikull nga pozita e Asistentes së Bordit Menaxhues. Natyrisht, jam shumë e lumtur me mundësinë që e kam fituar dhe përgjithmonë falënderuese për BPB dhe Junior që të zhvillohem edhe përtej programit, duke kontribuar brenda institucionit.
Cilindo të ri që e gjen veten në këto rreshta, e inkurajoj që të provoj Junior.