Ndërthurja e njohurive dhe inovacioneve të vazhdueshme në sistemin bankar, së bashku me përdorimin e teknologjisë se avansuar ka sjellë një ndryshim të madh në mënyrën se si qytetarët e Kosovës me lehtësi menaxhojnë financat e tyre përmes llogarive bankare.
Shkruan: Zana Meqa-Kastrati, Udhëheqëse e Departamentit të Pagesave dhe Zyrës Mbështetëse
Sistemi bankar në Kosovë ka një rregullim të qartë dhe një mbikëqyrje të vazhdueshme nga institucionet përgjegjëse, gjë që garanton sigurinë dhe transparencën në ofrimin e shërbimeve bankare te qytetarët. Në kuadër të këtij rregullimi, bankat aplikojnë procedura të thjeshta dhe të shpejta të cilat përmes dokumentacionit të duhur për identifikim ju mundësojnë qytetarëve hapjen e llogarive bankare.
Në ditët e sotme me dinamikën e zhvillimit të teknologjisë dhe globalizimit në anën tjetër, mundësitë e qytetarëve të Kosovës në fushën e llogarive bankare janë zgjeruar dhe përmirësuar në mënyra shumëdimensionale. Ky përmirësim dhe ndryshim ka ndodhur gradualisht dhe është përforcuar me rritjen e përdorimit te platformave dixhitale dhe shërbimeve online nga konsumatorët. Një prej avantazheve kryesore është qasja e lehtë në paratë e tyre në çdo kohë dhe vend, përmes rrjetit të gjerë të bankomateve dhe shërbimeve online. Kjo ka krijuar një ambient më të sigurt për ruajtjen e parave dhe bën që qytetarët të kenë kontroll të plotë mbi financat e tyre.
Përveç qasjes së lehtë në paratë e tyre, llogaritë bankare ofrojnë mundësi të ndryshme për pagesa dhe transfere të shpejta brenda dhe jashtë vendit. Kjo është sidomos e rëndësishme edhe për qytetarët që janë pjesë e diasporës, pasi ata mund të transferojnë paratë e tyre në mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe me kosto të ulta. Gjithashtu, konsumatorët përmes shërbimeve bankare mund të realizojnë blerje online të produkteve dhe shërbimeve të tjera në tregjet ndërkombëtare. Të gjitha këto kanë bërë që qytetarët e Kosovës të jenë më të përfshirë në ekonominë globale dhe të kenë më shumë mundësi per t’u zhvilluar financiarisht.
Ndër të tjerash, qytetarët kanë një dokumentim të qartë të të gjitha transaksioneve të tyre, që jo vetëm ndihmon në menaxhimin më të lehtë të financave personale, por gjithashtu rrit ndërgjegjësimin rreth shfrytëzimit të tyre.
Mundësia për të pasur llogari bankare për qëllime të ndryshme është një tjetër avantazh. Qytetarët tanë kanë mundësi të kenë llogari të ndara për kursim, pagesa të rregullta, investime e kështu me radhë. Posedimi i disa llogarive per qëllime të ndryshme ofron një nivel të lartë të fleksibilitetit në menaxhimin e financave personale, rritjen e pasurisë së tyre, si dhe mundësinë për të realizuar plane afatgjata financiare.
Sa i përket numrit të qytetarëve me llogari bankare, referuar raportit të fundit për Qasjen në Financa (Findex) të Bankës Botërore dikton se Kosova ka shënuar progres të madh në sektorin bankar, pasi qasja në llogari bankare është rritur me 31.8 për qind gjatë dekadës së fundit. Sipas këtij raporti, 55 për qind e qytetarëve tashmë kanë qasje në llogari bankare, e kjo vjen si rezultat i përkushtimit të sektorit bankar për të zgjeruar shërbimet e ofruara dhe për të punuar në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e përdorimit të llogarive bankare. Po ashtu, në raport thuhet se një parakusht i rëndësishëm për qasje më të lartë në llogari bankare është që niveli i papunësisë në vend të jetë më i ulët.
Megjithatë, edhe pse në vitet e fundit ka pasur shumë përparim në fushën e shpërndarjes dhe përdorimit të shërbimeve bankare te qytetarët, ende ka sfida që na shoqërojnë e që pritet të adresohen. Një ndër faktorët mund të jetë mungesa e informacionit të plotë rreth rëndësisë së ruajtjes së parave në llogaritë bankare apo përfitimit nga produktet dhe shërbimet financiare te një pjesë e qytetarëve.
Në këtë drejtim, bankat dhe institucionet shtetërore punojnë në vazhdimësi në promovimin e edukimit financiar dhe në ofrimin e mbështetjes se nevojshme, me qëllim të nxitjes së qytetarëve për qasje në llogari dhe përdorim të shërbimeve bankare.
Tashmë, edhe përmes llogarisë bazike, qytetarët e Kosovës do të kenë qasje në llogarinë e pagesës me shërbimeve bazike, të cilat konsumatorët mund t’i përdorin me kosto të ulta apo falas.
Nje tjetër zhvillim i rëndësishëm do të jetë edhe zbatimi i nënshkrimit elektronik në fushën financiare, i cili do të jetë një hap i madh drejt një tregu financiar më të avancuar dhe të besueshëm. Nënshkrimi elektronik do lehtësoj edhe me tej krijimin e relacioneve dhe marrëveshjeve financiare me konsumatorët, duke reduktuar nevojën për prezencën fizike në banka dhe institucione tjera financiare.
Si përfundim, qasja e qytetarëve të Kosovës në llogari bankare është një proces i domosdoshëm për të krijuar një shoqëri të zhvilluar dhe të qëndrueshme ne prespektiven financiare.
Perdorimi i llogarive bankare nga qytetarët ka potencial të ndikojë thellësisht në zhvillimin ekonomik të vendit. Duke mbajtur paratë në llogari bankare, qytetarët kontribuojnë në sigurimin e burimeve financiare per investime te ndryshme. Gjithashtu, realizimi i transaksioneve dhe pagesave përmes llogarive bankare ndihmon ne uljen e përdorimit te parasë se gatshme, përmes se cilës zvogëlohet ekonomia joformale dhe rritet transparenca financiare. Nje tjetër element me rendesi eshte krijimi i historise financiare me shfrytezimin e llogarise bankare, përmes se cilës Bankat mund të përdorin historinë financiare për të vlerësuar kapacitetin financiar dhe rreziqet, duke i ofruar qytetarëve me shume mundësi per te investuar dhe për të arritur qëllimet e tyre financiare. Fale shfrytëzimit te platformave dixhitale, përdorimi i llogarive bankare paraqet kosto më të ulët ne realizimin e transaksioneve krahasuar me mënyrat tradicionale të pagesave. Ne te njëjtën kohe, shërbimet bankare ofrojnë nivel te larte te sigurisë financiare per qytetaret duke garantuar ruajtjen e parave dhe te dhënave personale.
Rrjedhimisht, një sistem bankar i zhvilluar dhe i përdorur nga qytetarët e Kosovës ndihmon në rritjen e tregut financiar vendas, stimulimin e investimeve, dhe rritjen e aktivitetit ekonomik në vend.