Ekziston një segmentim universal i kompanive në mbarë botën i cili i ndan kompanitë në ndërmarrje mikro, të vogla, të mesme dhe të mëdha. Ky përkufizim bazohet kryesisht në kritere sasiore si qarkullimi, numri i punonjësve, bilanci i gjendjes, etj. Sipas kësaj qasjeje, nëse qarkullimi juaj dhe/ose numri i punonjësve janë nën kufijtë e caktuar, ju përkufizoheni si “kompani e vogël”. Megjithatë, ta zëmë se janë dy kompani ku njëra përgjatë 10 viteve të fundit është konsideruar ndërmarrje e vogël në bazë të kritereve të lartcekura, ndërsa tjera sapo është themeluar dhe hyn me një ide vrasëse në sektor; a mund t’i quajmë të dyja kompani “të vogla”?
Përgjigja e pyetjes së mësipërme duhet të kërkohet në mendësinë e pronarit të biznesit dhe pjesërisht të drejtuesve të kompanisë. Nëse mendësia e pronarit është e kufizuar vetëm në madhësinë e kompanisë dhe nuk shkon përtej kufijve fizikë të biznesit, atëherë biznesi mund të quhet “i vogël”. Dhe me shumë mundësi do të jetë i destinuar të qëndrojë si “i vogël”.
Por le të supozojmë se pronari i një ndërmarrjeje mikro ka një vizion që biznesi i tij/saj të zhvillohet për të ardhmen në treg. Ne e quajmë këtë vizion sepse pronari pas këtij vizioni ka ndërtuar një plan me nën plane të ndërlidhura në mënyrë koherente sipas një qasjeje hap pas hapi i shkallëzuar në faza. I shkallëzuar do të thotë se plani bazohet në një kornizë kohore e cila përbëhet nga nën planet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Atëherë kjo kompani nuk është një “kompani e vogël” por është një “kompani thelbësore”.
Një “kompani thelbësore” mund të jetë e vogël në madhësi, por është në prag të shpërthimit apo “bumit” të planifikuar që do të menaxhohet përmes planit. Pra, nuk do të ishte e arsyeshme ta quanim atë si një “kompani të vogël” të zakonshme, pasi ajo ka një potencial që është gati ta shndërrojë në vepër.
Çfarë lloj mendësie kërkohet nga një pronar për të pasur një “kompani thelbësore”? Përgjigjja është se në mendjen e pronarit dhe ekipit drejtues duhet të ekzistojë një “Plan i zgjuar i rritjes” për biznesin. Pyetja tjetër natyrshëm është “Çfarë është një Plan i zgjuar i rritjes”?
Gjithëpërfshirës: Plani duhet të përbëhet nga të gjithë elementët që i paraqesin nevojat e një “rritjeje të shëndetshme dhe të qëndrueshme”. d.m.th., plani i zhvillimit të produktit/shërbimit, plani i zhvillimit të tregut, plani i zhvillimit të prodhimit, plani i zhvillimit të menaxhimit, plani i zhvillimit financiar/kapital, etj. bazuar në analiza të shëndosha.
I integruar: Plani duhet të ndërthurë të gjithë elementët përbërëse të tij në mënyrë interaktive. Pra, duhet të ketë ndërlidhje ndërmjet elementeve të planit dhe qasjes së shkallëzuar për periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Ideja është që plani të jetë një listë e plotë e gjërave që duhen bërë bashkë me kërkesat para dhe pas tij. Në plan duhet të përcaktohen qartë strategjitë, objektivat dhe planet e veprimit.
I përshtatshëm: Qëllimi nuk është përpilimi i planit më të mirë në univers, megjithatë plani duhet të jetë koherent dhe kompatibil me madhësinë, burimet, sektorin, tregun, konkurrencën e biznesit në fjalë. Plani duhet të jetë i realizueshëm që do të thotë i arritshëm por në të njëjtën kohë kërkues për biznesin.
I pandërprerë: Planifikimi i biznesit është një “histori që nuk ka fund”. Plani ka nevojë për përditësim menjëherë pas përfundimit të tij. Kjo për faktin se vazhdimisht do të ketë ndryshime në sektor, konkurrencë, treg, kërkesa të klientëve dhe këto do të krijojnë nevojën për përditësimin e planit. Realizimet e planit gjithashtu e krijojnë nevojën për përditësim. Kjo është arsyeja pse plani duhet të përditësohet pandërprerë.
Një biznes është “i vogël” për sa kohë që mendësia e pronarit është e vogël dhe asnjë biznes nuk është “i vogël” nëse ekziston një “Plan i zgjuar i rritjes” brenda kompanisë. Pastaj është radha juaj të vendosni nëse biznesi juaj është “i vogël” apo jo.