Menaxhimi financiar në një kompani të vogël

Menaxhimi financiar mbulon të gjitha aspektet e menaxhimit që kanë të bëjnë me të ardhurat, shpenzimet, qarkullimin e parasë, profitabilitetin, dhe menaxhimin e kapitalit duke i ndërthurur kështu ngushtë edhe fushat e tjera të menaxhimit brenda kompanisë. Një kriter sipas të cilit ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) mund të kategorizohen është ajo sa mirë i përcaktuar është informacioni financiar ose në bazë të shkallës së ndërthurjes së fushave të ndryshme brenda kompanisë të përmendura më sipër. Por termi “informacion financiar” nuk i referohet në mënyrë specifike tabelave financiare të formatuara dhe formale, por çdo lloj sistemi regjistrimi për çështjet financiare është i mirëpritur në një NMVM. Ideja thelbësore është të kesh fuqinë e kontrollit në aspektin financiar të kompanisë.

Ekziston një piramidë hierarkie përmes të cilës NMVM-të mund të kategorizohen, siç e cekëm më lartë, sa i përket sistemit të e menaxhimit financiar dhe në nivelin më të ulët të piramidës janë “NMVM-të pa informata”. Janë disa zëra themelor financiar që çdo lloj biznesi duhet t’i njohë dhe ti mbajë nën kontroll, si p.sh të ardhurat dhe shpenzimet. Gjendja e të qenit të pavetëdijshëm për të ardhurat dhe shpenzimet e biznesit njihet si “NMVM pa informata”. Kjo gjendje e përkufizon shumë thjeshtë performancën e biznesit: nëse ka para në xhepin e pronarit, biznesi po funksionon mirë.

Niveli i dytë i piramidës përfshin “NMVM-të financiarisht të ndjeshme”. Kompanitë e këtij niveli janë të vetëdijshme për të ardhurat dhe shpenzimet, por kanë probleme të vazhdueshme me qarkullimin e parasë. Pronari i biznesit e di se paratë po hyjnë dhe dalin, por nuk e di saktësisht se kur. Ky është ndër shkaktarët tipik të problemeve me qarkullimin parasë në shume biznese. Kjo është arsyeja pse kompanitë e këtij niveli kanë nevojë për financim të jashtëm për biznesin e tyre dhe kredia bankare është mënyra më praktike në këtë rast. Nëse bizneset e këtij niveli do të kishin njohuri më të mëdha rreth menaxhimit të qarkullimin e parasë, nevoja për kredi bankare do të ishte më e vogël dhe profitabiliteti i tyre do të ishte më i lartë.

Niveli i tretë i piramidës përfshin “NMVM-të financiarisht informuese”. Ky lloj biznesi njeh si të ardhurat/shpenzimet ashtu edhe qarkullimin e parasë së kompanisë. Biznesi fjalë mban evidencë dhe regjistron rregullisht të ardhurat dhe shpenzimet. Dhe nëse kërkohet, mund të japë lehtësisht shifrat e të ardhurave dhe shpenzimeve të kompanisë. Përveç këtyre shifrave, këto biznese mund të kenë edhe program të pagesave dhe arkëtimit të transaksioneve të realizuara. Si rezultat, këto kompani mund të japin një vlerë të përllogaritur të qarkullimit të parasë të bazuar në shpenzimet e prodhimit/shitjes,  shitjet e realizuara, dhe kostot fikse. Kjo e ndihmon kompaninë të balancojë paratë që shpenzohen për realizim të pagesave me paratë që vijnë nga arkëtimet dhe të jetë e gatshme të reagoj përpara çdo krize të qarkullimit të parasë.

Niveli i katërt i piramidës përfshin “NMVM-të financiarisht parashikuese”. Ky është një version i avancuar i “NMVM-ve financiarisht informuese” duke shtuar disa parashikime në anën e qarkullimit të parasë. Këto parashikime janë të mundshme vetëm nëse biznesi ka një plan të besueshëm shitjesh të inkorporuar me planin e kostove përkatëse. Tutje, përveç planit të qarkullimit monetar të bazuar në transaksionet e realizuara, biznesi është në gjendje të parashikojë qarkullimin e ardhshëm të parasë të bazuar në parashikimet e përgatitura të shitjeve dhe kostove përkatëse. Këto kalkulime biznesi në fjalë mund ti bëjë duke përgatitur fillimisht një plan të shitjes në fillim të çdo viti dhe një vlerësim të kostove direkte dhe indirekte që lidhen me atë nivel të planifikuar shitjesh. Këto plane duhet të përditësohen kohë pas kohe sipas nevojës (ose menjëherë në rast zhvillimesh të papritura). Përditësimi duhet të ndodhë me qëllim që parashikimet e qarkullimit të parasë të jenë sa më reale dhe të bazohen në vlera të sakta të shitjeve dhe shpenzimeve të realizuara dhe të largohen transaksionet e parealizuara.

Niveli i pestë i piramidës përfshin “NMVM-të financiarisht të definuara”. Ky është niveli më i lartë në aspektin e menaxhimit financiar që përfshin të gjitha aspektet e niveleve të mëparshme të piramidës, por duke shtuar aspektet e profitabilitetit dhe menaxhimit strategjik. Profiti është një nga shtyllat kryesore të menaxhimit financiar të këtyre biznesve të cilat caktojnë objektiva sa i përket profitit në fund të vitit. Profiti përcillet me kujdes dhe analizohen të gjitha zërat dhe aktivitetet e përditshme të kompanisë që mund ta afektojnë atë. Por, pjesa më e vështirë nuk është vetëm përcjellja e fitimit, por edhe e profitabilitetit. Profitabiliteti është raporti ndërmjet fitimit dhe të ardhurave ndërsa profitit është vlera absolute e asaj se sa para fitohen nga biznesi. Menaxhimi i profitabilitetit është një nga çështjet kryesore që kompanitë e këtij nivelit pritet ta trajtojnë. Këtë biznese zakonisht kanë plane për të rritur nivelin e profitabilitetit (të paktën të mbajnë nivelin aktual) duke intervenuar në funksionet e tjera të biznesit. Ky është niveli strategjik i menaxhimit financiar dhe është përgjegjësi e pronarit (ose e ndonjë menaxher kryesor) pasi që vendimet e këtij niveli kanë implikime në forcimin e linjës së produkteve (si për kompanitë prodhuese ashtu edhe për atë tregtare/shërbyese), diversifikimin e tregjeve dhe strukturën e klienteles, uljen e kostove dhe shpenzimeve, etj.

Ekziston edhe një çështje tjetër sa i përket menaxhimit financiar të NMVM-ve e cila ka të bëjë një menaxhimin efektiv të investimeve, por kjo temë do të trajtohet në një artikull tjetër.

article image