Ndikimi i lëvizjes së fuqisë punëtore te bizneset e vendit  

Raportet ndër vite kanë treguar shifra të ndryshme lidhur me lëvizjen e fuqisë punëtore dhe ndikimet në ekonominë e vendit. Ky trend i vazhdueshëm është riaktualizuar sidomos pas liberalizimin të vizave në Kosovë. Një këndvështrim nga BPB për ekonominë dhe tregun.

Shkruan: Isak Krasniqi, Menaxher i Sektorit Mikro dhe Agro në BPB

Shumica e të rinjve në Kosovë jetojnë me familjet e tyre sipas modelit tradicional të jetesës. Ka një pjesëmarrje të ulët në aktivitete vullnetare dhe në aktivitete që ndërlidhen me planifikimet jetësore. Ky model i vjetërsuar dhe periudha intensive e inovacionit teknologjik, ndikojnë në nivelin e pjesëmarrjes të të rinjve në debate dhe formulim të politikave zhvillimore. Kështu të paktën ka konkluduar Banka Botërore dhe Fondacioni “Fridrih Ebert Shtiftung” në studimin e tyre për Kosovën. Në këtë shkrim do të ndërveprojmë përmes analizës me hulumtimin në fjalë, duke treguar se çka BPB po bën për të kontribuuar në ndryshimin pozitiv të kësaj situate.

Gjithmonë sipas këtij hulumtimi, ka mospërputhshmëri mes pritshmërisë që kanë të rinjtë për tregun e punës dhe nevojat e tregut për fuqi punëtore. Cilësia e arsimit dhe edukimit që nuk ka pësuar ndonjë ndryshim rreth pozitives as vitet e fundit, ndikon direkt në hapësirën që krijohet krahas kërkesës së madhe për kuadro të kualifikuara dhe profesionale. Në anën tjetër, shqetësimi që rrjedh mbi të drejtat e punëtorëve, orët e gjata të punës, problemet me pagat, etj, ka rezultuar në një shumicë të të rinjve kosovar që kanë qëllim largimin nga Kosova. Ndikimet e këtij hulumtimi, do të i shohim sapo të kemi publike shifrat e para të të larguarve, pas liberalizimit.

Sipas matjeve, rreth 87 për qind e të rinjve nuk do ta justifikonin mashtrimin me taksa, gjë që tregon një moral të lartë tatimor që reflekton një mbështetje të qëndrueshme për shtetin në përgjithësi. Kosova konsiderohet nga Banka Botërore si vend me të ardhura mesatare të ulëta, prandaj të rinjtë janë më pak të motivuar për të kontribuuar në zhvillimin e vendit. Kjo ndikon në mungesën e motivimit për rritje personale dhe në demotivim të tyre. Të rinjtë në Kosovë priren të kenë nivel më të ulët individualizmi dhe bëjnë më pak përpjekje për zhvillimin e tyre personal, pasi që gëzojnë mbështetjen e familjes. Të rinjtë që i përkasin grupit (24 –29 vjeç) janë më pak optimistë për të ardhmen e Kosovës, pas 10 vjetësh krahasuar me grupmoshat më të tjera.

Rreth 60 për qind e rinisë në Kosovë kanë qasje në internet gjatë gjithë kohës në disa mënyra, televizioni dhe interneti janë mjeti kryesor i informimit për çështje të ndryshme dhe të rinjtë e përdorin në masë këtë formë komunikimi. Këto dhe rrjetet sociale përbëjnë të tashmen dhe të ardhmen e botës së informacionit për të rinjtë.

Mospërshtatja e sistemit të arsimit me nevojat e tregut të punës ndikon në përfshirjen e ulët të të rinjve në sektorin privat dhe në hapjen e bizneseve individuale. Kjo tregon se shkollat e mesme perceptohen më pak kërkuese se universitetet. Ndërsa studentët në arsimin e lartë kanë një nivel më të lartë pjesëmarrjeje në punë provuese dhe praktikë. Të rinjtë e Kosovës vlerësojnë se nga sistemi arsimor jo i kënaqshëm, rezulton edhe mungesa e përgatitjes së tyre me aftësitë e përshtatshme për tregun e punës.

Kosova ka nivel të lartë, rreth 25 për qind të NEET (të rinjtë që nuk arsimohen apo trajnohen). Derisa pabarazia gjinore në statusin social mbetet e lartë, me vajzat/gratë me nivel të lartë të NEET dhe arsimimit, meshkujt vazhdojnë të jenë më prezentë në tregun e punës. Të rinjtë në Kosovë shpesh janë të aftë (54 për qind e tyre) për të punuar në profesionin e tyre. Kjo tregon një mospërputhje të lartë ndërmjet kualifikimeve të forcës së punës, nevojave dhe kërkesave të tregut të punës. Përqindja më e madhe e të rinjve, duan të punojnë në sektorin publik, duke e konsideruar edhe sigurinë në punë si faktor me rëndësi që të rinjtë e konsiderojë në zgjedhjen e një pune.

Ky studim analizon edhe aspektet e migrimit të të rinjve. Flukset e migracionit – të vullnetshme dhe të pavullnetshme kanë qenë një tipar i vazhdueshëm i ndryshimeve në strukturën e popullsisë në Kosovë. Në 2014–2015 pati një valë të re migrimi drejt Bashkimit Evropian. Këta të rinj tani po japin kontribut në shoqëri të tjera të zhvilluara, kurse vendi i tyre i origjinës mbetet në grupin e vendeve më pak të zhvilluara në Evropë.

Nuk ka asnjë dallim në qëllimin për të migruar mes grup-moshave, niveleve të arsimit dhe rezultateve të indeksit të pasurisë, kështu që të gjithë grupet e ndryshme kanë qëllime të ngjashme për të migruar. Afërsisht 40 për qind e shqiptarëve të Kosovës dëshirojnë të migrojnë për një periudhë të shkurtër kohe prej më pak se pesë vjet. Të rinjtë që jetojnë në zonat rurale kanë një dëshirë më të fortë për të migruar për periudha më të gjata. Arsyet ekonomike përmenden si arsyeja kryesore për migrim nga rreth 63 për qind e atyre që dëshirojnë të lënë Kosovën për të shkuar në një vend tjetër.

Kjo pasqyron ndikimin gjithnjë në rritje e diasporës së madhe kosovare në vendet ku jetojnë e punojnë, por edhe në Kosovë, duke sjellë të mira materiale e financiare në vendlindje. Motivimi për të migruar për arsye arsimore mbetet relativisht i ulët, duke krijuar një prishje ekuilibri midis dëshirës për të migruar dhe punuar në vendin e destinacionit dhe etjes për një arsim më të mirë, që në vetvete mund të sjell shanse më të mira për punë në vendin e destinacionit.

Mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore në Kosovë dhe mungesa e investimeve ndikon në prishjen e ekuilibrave shoqëror dhe në rënie ekonomike. Lëvizja e këtillë masive e fuqisë punëtore dikton ndërmarrjen e masave për ndryshimin e politikave zhvillimore në Kosovë dhe joshjen e diasporës me lehtësim të investimeve në vend.

Hartimi i planeve e projekteve afatmesme e afatgjata, ku do të jetë e përfshirë diaspora jonë e re dhe aktive, me të ardhura relativisht të qëndrueshme, do të ndikonte dukshëm në rrugën e një ekonomie më gjithëpërfshirëse në Kosovë.

Pra, duke pasur një rini të mirinformuar, pyetja rrjedh se çka bëjnë saktësisht bizneset për të konkurruar këtë realitet për të cilin flet me detaje raporti i cituar në këtë tekst.

Në Bankën për Biznes, duke qenë se vazhdimisht jemi duke analizuar tregun, pritshmëritë dhe mundësinë tonë për të kontribuar pozitivisht, jemi të angazhuar në disa fusha që prekin dhe ndihmojnë pikërisht këtë kategori.

Tashmë BPB është duke trajnuar për treg të punës grupin e shtatë të studentëve të programit Junior që funksionon në kuadër të Akademisë së Burimeve Njerëzore. Ekspertët më të mirë të fushës së bankimit në vend, për muaj me radhë studentëve që kualifikohen për këtë progam u afron trajnime në fusha të ndryshme, për t’i bërë ata bankierët e së ardhmes. Pos trajnimeve dhe certifikimit që marrin nga programi, një pjesë që gati e përbën shumicën na bashkangjiten si staf i Bankës, menjëherë pas përfundimit të Junior.

Derisa me Junior jemi të angazhuar për të ndihmuar direkt studentët, BPB me programin “Rinia në Biznes” ekskluzivitetin e të cilit e ka përmes BERZH-it si banka e vetme në Kosovë, tashmë jemi edhe pranë ndërmarrësve të rinj, duke ju mundësuar financim por edhe mbështetje jo-financiare.

Banka e Vendit mbetet banka e vetme në Kosovë që përmes Akademisë së Biznesit, është bërë adresë për  udhëheqësit e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të cilëve ju ofron trajnime, mentorim dhe përkrahje të vazhdueshme për të drejtuar bizneset e tyre dhe për të ofruar mbështetje për atë që përbën pjesën jetike të ekonomisë lokale.

Platforma InfoMat, aty ku pikërisht edhe mund të lexoni këtë shkrim, është tjetër nismë e Bankës tonë për ndërmarrësit e vendit, duke shpresuar që kjo dritare që shërben si këshilltar 24 orë të ditës e 7 ditë të javës, të jetë një lehtësim në operimin e përditshëm, e të kontribuojë për ndryshim të perceptimit aktual se të rinjtë studentë e të rinjtë ndërmarrës, nuk kanë një adresë ku mund të gjejnë përkrahjen e duhur.

 

 

 

 

article image