Çfarë është potenciali eksportues dhe ku gjendet ai në një kompani të vogël?

Kosova është një ekonomi e bazuar në import dhe karakterizohet me një deficit tregtar të jashtëm të pa balancuar ku eksporti merr pjesë shumë pak. Zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij problemi strukturor të ekonomisë së vendit mund të jetë përfshirja efektive e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) në aktivitetet e eksportit. Për të arritur këtë synim, duhet të përmirësohet potenciali i eksportit të NMVM-ve në Kosovë.

Asnjë ndërmarrje nuk është në gjendje të fillojë të eksportojë menjëherë pa bërë asgjë. Potenciali i eksportit është rezultat i disa aktiviteteve të ndërlidhura me qëllim të ndërtimit të talentit eksportues brenda kompanisë. Disa nga talentet kryesore në një ndërmarrje të vogël janë:

  • Ekzistenca e një infrastrukture brenda kompanisë,
  • Linjë e avancuar e produktit/shërbimit dhe më cilësi,
  • Hulumtimi i tregjeve të huaja dhe marketingu,
  • Profesionalizmi i nevojshëm për tregtinë e jashtme brenda strukturës drejtuese të kompanisë së vogël.

Një nga treguesit kryesorë të potencialit të eksportit është ekzistenca e një infrastrukture të besueshme brenda kompanisë. Ndërsa, një ndër elementet përbërëse më bazike e kësaj infrastrukturës është njohja e gjuhës së huaj ose të kesh të paktën një person në kompani me këtë aftësi. Të kesh një staf ose menaxher në një kompani të vogël konsiderohet aset. Talenti më i avancuar i një kompanie të vogël është të ketë një departament për tregtinë e jashtme. Megjithatë, nuk po flasim për talentin importues të kompanisë edhe pse edhe ky talent sikurse njohuritë në eksport sigurisht që është një arritje pozitive. Por mbi të gjitha, ne kemi nevojë për më shumë kompani të vogla me talent eksportues në Kosovë. Ekziston edhe një pikë tjetër për t’u përmendur sa i përket potencialit të eksportit që ka të bëjë me materialin promovues. Kanalet dixhitale janë rruga më e rëndësishme promovuese në këtë drejtim. Të kesh një faqe interneti gjithëpërfshirëse që ofron informata në gjuhë të huaj është pasuri për një kompani të vogël. Nëse kompania i përdor mediat sociale për qëllime eksporti, kjo është “xhevahiri mbi kurorë”. Përveç instrumenteve dixhitale sigurisht që një kompani e vogël duhet të ketë disa materiale të printuara si broshurat e kompanisë dhe katalogët e produkteve. Edhe këto materiale mund të përfshihen në ueb faqen e kompanisë po ashtu. Për më tepër, ofrimi i informatave mbi legjislacionin në Kosovën si dhe për tregjet në vendet e synuara do të ishte vlerë e shtuar po qe se përmenden në ueb faqe.

Në mënyrë që një kompani e vogël të fillojë të eksportojë, fillimisht duhet të ketë disa produkte/shërbime  që i japin njëfarë epërsie ndaj konkurrencës vendore në Kosovë. Por duhet pasur parasysh se kur bëhet fjalë për eksport, sektorë apo rajone të ndryshme kërkojnë njohjen e disa rregulla dhe standarde specifike. Andaj, një pronar/menaxher i një kompanie të vogël duhet të eksplorojë nevojat në tregjet e synuara dhe t’i krahasojë ato me produktet/shërbimet e veta. Plotësimi i këtyre nevojave mund të kërkojë pajtueshmëri me standardet ose kërkesat specifike sa i përket, për shembull dimensioneve. Por, mund të ketë edhe rregulla të tjera që vendosen nga vendet e ndryshme për produkte/shërbime specifike.

Kompanitë e vogla duhet së pari të mësohen me tregjet ku vendosin të eksportojnë dhe më pas të angazhohen në aktivitete marketingu në atë treg. Mënyra më praktike për ta bërë këtë është pjesëmarrja apo vizitimi i panaireve. Kohët e fundit pandemia e ka penguar mbarëvajtjen e panaireve por në të njëjtën kohë janë shfaqur mundësi për panaire dixhitale në pothuajse çdo sektor. Ekzistojnë po ashtu statistika globale rreth tregtisë së jashtme. Një pronar/menaxher i një kompanie të vogël duhet të jetë i vetëdijshëm për këto statistika dhe duhet të ketë njohuri se si t’i marrë këto informacione. Këto informacione janë të vlefshme për përcaktimin e tregjeve potenciale për eksport dhe më pas kthimin e tyre në tregje të synuara. Pasi një kompani e vogël të përcaktojë tregjet e saj të synuara, është koha për të bërë hulumtim të tregut. Është e rëndësishme të ceket se për të gjitha këto aktivitete, mund të ketë programe që ofrojnë mbështetje dhe subvencione. Kompanitë e vogla duhet të jenë vigjilente dhe në vazhdimësi t’i kërkojnë programet e tilla mbështetëse.

Tregtia e jashtme ka nevojë për më shumë profesionalizëm sesa udhëheqja e biznesit në tregun e brendshëm (veçanërisht kur përpiqesh të eksportosh në ekonomitë të zhvilluara si BE-ja) apo menaxhimi i sistemit të një kompanie. Dorëzimi në kohë i produktit apo shërbimit është problemi më i shpeshtë në këtë çështje. Kompanitë e vogla duhet ta forcojnë cilësinë e produkteve/shërbimeve të tyre, njohuritë mbi marrëdhëniet me klientët, planifikimin, dhe njohuritë rreth kontratave ndërkombëtare apo inkotermeve.

Këtu përfundon ky artikulli i cili paraqiti një udhërrëfyes të shpejtë rreth kompanive të vogla dhe zhvillimit të aftësive dhe talentit të tyre eksportues. Shpresojmë se kjo do të ndihmojë në rritjen e kontributit të kompanive tona të vogla në performancën e eksporteve kombëtare.

article image