Data e themelimit dhe mosha e një biznesi janë dy gjëra të ndryshme! – Pjesa 1

Të jesh në hap me kohën dhe mos vjetërsohesh ka qenë dhe mbetet një element shumë i rëndësishëm për çdo biznes. Biznesi që plaket, në periudhë afatgjatë detyrimisht ua lë skenën konkurrentëve më të rinj dhe dinamikë. Në mjediset e biznesit siç është Kosova, përcaktimi i bizneseve të vjetra dhe të shëndosha duke marr për bazë pasurinë e tyre që e kanë krijuar ndër vite nuk është e lehtë. Kjo për faktin se pasuria e fituar gjatë “kohëve të arta të dikurshme” vendos një perde të padukshme që i mbulon faktet. Kjo pasuri qëndron si një lloj makijazhi me kapital të pashfrytëzuar (joproduktiv) të groposur në biznes ose me të hyra që nuk vijnë nga aktiviteti i biznesit.

Në fakt, goditja nga pandemia dhe kriza e vazhdueshme ekonomike kanë imponuar ndryshime të shpejta në jetën sociale dhe ekonomike dhe ky proces i obligon bizneset të qëndrojnë të reja (apo të bëhen akoma më të reja). Në këtë kontekst,  bizneset duhet të kultivojnë virtyte rinore siç janë ndjesia e emocionit dhe sfidës, agjiliteti, dhe aftësia për t’i përballuar paragjykimet.

Në këtë drejtim, mund të thuhet se nuk ekziston asnjë lidhje e drejtpërdrejtë mes kohës që ka kaluar prej themelimit të një biznesi dhe moshës apo vjetërsisë së tij. Me pak fjalë, kjo i bie se një biznes i themeluar para 150 viteve mund të konsiderohet si i ri pa asnjë problem. Por nëse është kështu, si mund të kuptojmë se një biznes është i ri, ose anasjelltas, i vjetër? Përgjigjja në këtë pyetje duhet të kërkohet në faktorët e menaxhimit të biznesit të cilët janë të elaboruar në seksionet e mëposhtme.

Pronari
Mosha e biznesit është e lidhur drejtpërdrejt me moshën e pronarit, por jo me moshën fizike. Ajo lidhet më shumë me moshën e shpirtit të tij/saj ndërmarrës pasi që kjo është karakteristika më domethënëse e çdo pronari të biznesit. Rutinat e vjetra nuk sjellin asnjë mundësi të re. Nga pronari kërkohet që t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë që vijnë nga tregu, konkurrenca, teknologjia, etj. Ai/ajo duhet të jetë vigjilent gjatë gjithë kohës në mënyrë që t’i identifikojë mundësitë e reja. Për pronarin është fondamentale përcjellja e ndryshimeve në botë, treg, klientë dhe konkurrencë. Pengesa kryesore për pronarin në këtë drejtim është e ashtuquajtura “pafuqia e mësuar” apo ndjenja e pafuqisë për të kontrolluar apo ndryshuar një situatë e cila ngulitet me kalimin e kohës. Shembulli më tipik i kësaj situate janë fjalët e pronarit kur e dëgjoni duke thënë: “Ne tashmë e kemi provuar/e dimë këtë. Nuk ka nevojë ta bëjmë!”. Rinia nënkupton lirinë për të gabuar, por me kusht që të merrni mësime nga dështimet e së kaluarës. Kjo qasje e mban biznesin gjallë dhe të ri.

Menaxherët dhe burimet njerëzore
Menaxherët dhe stafi që punojnë qysh nga themelimi i kompanisë janë pasuria e një biznesi. Mirëpo përkundër kësaj, kërkohet që edhe biznesi edhe stafi të përmirësohen bashkërisht dhe njëkohësisht. Nevojat e biznesit në fillim dhe pas 20 vitesh mund të jenë krejtësisht të ndryshme. Ky ndryshim mund të lindë ose nga madhësia e biznesit ose nga ndryshimi i faktorëve mjedisorë ose nga të dyja këto. Aftësitë e menaxherëve dhe sistemi i menaxhimit duhet të ndryshohen dhe përmirësohen vazhdimisht me qëllim të ndërtimit të reziliencës. Nëse  në një biznes që është rritur në vazhdimësi, gjëja më e rëndësishme rreth një menaxheri mbetet ajo se sa “i besueshëm” është ai, atëherë ky është treguesi më tipik i plakjes së një biznesi. Kjo e shpjegon edhe faktin pse burimet njerëzore të vjetërsuara janë shkaku kryesor i dështimit të shumë bizneseve.

Produktet dhe shërbimet
Bota po ndryshon gjithnjë e më shpejt dhe kjo shpejtësi po sjell ndryshime të papritura dhe të paparashikueshme në nevojat dhe pritshmëritë e klientëve. Në ketë kuptim, cikli i jetës së çdo produkti/shërbimi është shkurtuar. Për të qenë në hap me konkurrencën në treg, është e patjetërsueshme përmirësimi/ndryshimi i produkteve/shërbimeve në raport me pritshmëritë e klientëve dhe tregut. Produktet apo shërbimet më të pikatura dhe fitimprurëse që kanë qenë dikur (dhe që ishin shtylla të biznesit që mund ta kenë sjellë gjithë pasurinë e biznesit dhe pronarit) sot mund të jenë bërë të zakonshme. Pse ndodh kjo? Nëse një biznes ankohet për konkurrencën e ashpër dhe nuk arrin të realizojë fitimin që e ka realizuar dikur, dhe qëvazhdon të investojë ndërkohë që hisja e tregut po zvogëlohet, e tregon më së miri që biznesi po plaket.

Në artikujt e ardhshëm, do të vazhdojmë të eksplorojmë faktorët që e mplakin një biznes dhe këshillat si ta mbani biznesin të ri (ose ta bëni akoma më të ri).

article image