Data e themelimit dhe mosha e një biznesi janë dy gjëra të ndryshme! – Pjesa 2

Në artikullin e kaluar e filluam diskutimin rreth dallimit në mes të datës së themelimit të një biznesi dhe moshës apo vjetërsisë së tij. Përveç burimeve njerëzore që  plaken me kalimin e kohës, një biznes mund të qëndrojë i ri për aq kohë sa disa faktorë të caktuar që e mbajnë kompaninë mbesin të rijnë. Në artikullin e kaluar e diskutuam rolin e tre faktorë kyç siç ishin:

  • Pronari
  • Menaxherët dhe burimet njerëzore
  • Produktet dhe shërbimet

Përveç faktorëve të mësipërm, tre faktorë të tjerë do të diskutohen në këtë artikull.

Konsumatorët
Klientët e kamotshëm të biznesit janë burim krenarie për çdo kompani. Ata janë një pasqyrë që tregon se kërkesat e klientëve janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme. Mirëpo, përkundër anëve pozitive, kjo karakteristikë mund të ketë edhe efekte anësore negative të dyanshme: E para është se klientët e vjetër dhe të mëdhenj mund ta vendosin biznesin në një pozicion të pa lakmueshëm duke ja cenuar profitabilitetin dhe efikasitetin. Klientët e tillë janë mësuar që pritshmëritë e tyre të përmbushen gjithmonë, pavarësisht se disa nga këto pritshmëri mund të jenë të dëmshme për kompaninë. Efekti tjetër anësor është se përderisa klientët plaken, ka shumë gjasa që edhe kërkesat e tyre të vjetërsohen apo edhe të rrezikohen me zhdukje nga tregu. Në anën tjetër, klientela bazë e cila është pika themelore e kontaktit me tregun, është një nga karakteristikat më të rëndësishme të një biznesi që e mban kompaninë të re dhe dinamike. Nëse pika e kontaktit vjetërsohet, biznesi vjetërsohet dhe humbet avantazhet konkurruese. Me fjalë të tjera, klientët janë si një vaksinë që i rinon bizneset. “Klientët e vjetër” mund të bëhen gjak toksik i cili duhet të eliminohet nga trupi andaj duhet të pompohet “gjak i freskët” apo klientë të rinj. Pra, klientela bazë është një ndër faktorët më të rëndësishëm që e mbanë një biznes të freskët dhe të ri. Biznesi ka nevojë edhe klientë besnikë që është një tregues i kënaqësisë nga pikëpamja e klientit, por në të njëjtën kohë duhet pasur kujdes që ata apo më mirë të themi, kërkesat e tyre, të mos plaken.

Teknologjia
Efekti i teknologjisë në rrugën e plakjes së një biznesi mund të shihet nga dy rrafshe. E para ka të bëjë me përcjelljen e trendeve të teknologjisë përvetësimin e saj ndërsa e dyta ka të bëjë me atë se sa efektive është kompania në përdorimin e teknologjisë. Tashmë është e qartë se pranimi dhe adoptimi i teknologjisë është një faktor kritik për çdo biznes marrë parasysh ritmin e zhvillimeve në teknologji i cili po përshpejtohet çdo ditë. Baza teknologjike e çfarëdo biznesi është bërë një faktor themelor konkurrues në shumicën e sektorëve. Sa për ilustrim, sot makinës CNC me 5 boshte i duhet vetëm gjysma e kohës së një makine tradicionale për të prodhuar një artikull. Prandaj, një kompani prodhuese me makineri konvencionale nuk është në gjendje të prodhojë sasi të mëdha produktesh dhe si rrjedhojë nuk është konkurruese në treg. Ose, nëse konkurrentët merren edhe me shitje online dhe rrisin shitjet nëpërmjet këtij kanali, atëherë përcjellja e konkurrencës bëhet akoma edhe më e vështirë. Andaj, për të qenë në hap me konkurrencën, paraprakisht nevojitet investim në teknologji e cila në afatgjatë ju mundëson të jeni një konkurrent pionier në treg. Por, në të njëjtën kohë, investimet e tilla janë problematike për bizneset. Kompanitë që investojnë në teknologji (herë pas here duke investuar në teknologji të panevojshme) zakonisht nuk e përdorin teknologjinë për të përmirësuar nivelin teknologjik të kompanisë. Në ditët e sotme, ndërmarrjet mikro, të vogla, dhe të mesme (NMVM) janë të afta të investojnë në softuerë për Planifikim të Burimeve të Ndërmarrjes (ERP) në prodhim dhe menaxhim të burimeve, mirëpo nuk i përdorin plotësisht ato. Ose, NMVM-të investojnë shumë në makineri të teknologjisë së lartë, por nuk punësojnë staf të kualifikuar për të manovruar me to sepse niveli i pagës për operatorin e kualifikuar është më i lartë se sa është mësuar kompania. Nëse kthehemi te shembulli i makinës CNC me 5 boshte, shpejtësia nuk është tipari i vetëm i makinës. Ekziston gjithashtu një përparësi tjetër e kësaj makine për të prodhuar produkte komplekse (vlerë e shtuar) dhe inovative. Nëse kompania nuk e përdor këtë teknologji për të prodhuar produkte që e bëjnë biznesin të ri, mund të themi se kompani vetëm ka investuar në teknologji po që akoma nuk është bërë një kompanie teknologjike.

Struktura e menaxhimit
Kompanitë duhet të përmirësojnë strukturat e tyre të menaxhimit paralelisht me rritjen. Kjo nuk nënkupton punësim më të madh të stafit ose të menaxherëve më të kualifikuar. Përmirësim i strukturës së menaxhimit nënkupton aftësinë për përmirësim të pozicionit në treg, konkurrencës, aftësisë për planifikim dhe monitorim të performancës, etj. Pra, krejt çfarë kërkohet për të përmirësuar strukturën e menaxhimit është ndërmarrja e masave konkrete në fushat e sipërpërmendura. Efekti i këtyre masave mund të vijë ose përmes përmirësimit të aftësive të pronarit ose përmes inkorporimit të talentet e reja të menaxherëve të rinj. Përmirësimet mund të vijnë edhe përmes përdorimit të teknologjive në menaxhimin e biznesit ose nga shërbimet e konsulencës. Por, duhet pasur kujdes dhe te jeni të vetëdijshëm se ka plot rast kur investimet  në teknologjitë e menaxhimit janë të paqëlluara dhe joefikase. Blerjet e panevojshme të softuerit ose shërbimet e konsulencës “interesante”, por “të papërdorshme” janë burimi i iluzioneve të kompanive teknologjike. Quhet “iluzion” pasi nuk jepet asnjë kontribut real por vetëm “show business”.

Më lartë trajtuam grupin e dytë të faktorëve kyç që ndikojnë në mbajtjen (ose bërjen) e biznesit sa më të ri. Sa më mirë të qëndroni në këta faktorë aq më të fortë do të jeni në treg dhe me gojën plotë mund të themi: “Rroftë biznesi”!

article image