Ftesë për pjesëmarrje në panairin “Gratë në Biznes” në Prishtinë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA) shpall thirrjen publike për pjesëmarrje në panairin “Gratë në Biznes”. Sipas organizatorëve, panairi është paraparë të mbahet në datë 14,15 dhe 16 Korrik 2022, duke filluar nga ora 9:00 deri në ora 18.00, në sheshin Zahir Pajaziti, në Prishtinë.

Kjo thirrje e MINT dhe KIESA ka për qëllim promovimin e produkteve të bizneseve të grave ndërmarrëse dhe atyre me artizanate tradicionale. Andaj, ftohen të gjitha bizneset e regjistruara / OJQ në Kosovë me pronare apo bashkëpronare të gjinisë femërore dhe atyre me artizanate tradicionale, që dëshirojnë të aplikojnë për të marrë pjesë në këtë panair.

Më tej, në thirrje thuhet se organizimi i panairit do të bëhet përmes kontraktimit të një operatori i ekonomik, i cili do të mbulojë shpenzimet e hapësirës ekspozuese (shtande), sigurimin fizik, pastrim ditor dhe çështjet tjera teknike rreth panairit. Ndërsa, sa i përket shpenzimeve operative të bizneseve/OJQ pjesëmarrëse në panair, përfshirë dërgimin/sjelljen e produkteve në panair, transportin dhe ushqimin e pjesëmarrëseve, etj., ato duhet të mbulohen nga vet pjesëmarrëset/it në këtë panair.

Në fund, KIESA njofton se subjektet e interesuara duhet të plotësojnë aplikacionin dhe se bashku me dokumentet tjera të kërkuara duhet t’i dërgojnë më së largu deri më 01.07.2022  në ora 16:00 në formë fizike në Zyrën e arkivit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Lagjja e Spitalit, rr. “Arbënor e Astrit  Dehari”, nr. 21 Prishtinë-10000 Republika e Kosovës,

Informata më të detajuara rreth kësaj thirrjeje dhe procesit të aplikimit mund të gjinden në https://kiesa.rks-gov.net/Page.aspx?id=1,5,580.

article image