Ftesë për pjesëmarrje në panairin “imm Spring Edition 2023” në Gjermani

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA) shpall thirrjen publike për pjesëmarrje në shtandin shtetëror të Kosovës në panairin e produkteve të drurit “imm Spring Edition 2023”. Sipas organizatorëve, panairi është paraparë të mbahet në datë 04–07 Qershor 2023 në Koln të Gjermanisë.

Kjo thirrje e MINT dhe KIESA ka për qëllim promovimin e kompanive prodhuese kosovare në gjetjen e tregjeve të huaja për eksport të produkteve.

Më tej, në thirrje thuhet se prezantimin shtetëror e organizon MINT, përkatësisht KIESA, e cila mbulon shpenzimet e hapësirës ekspozuese, ndërtimin e shtandit, regjistrimin e pesë (5) subjekteve pjesëmarrëse, shpenzimet e energjisë elektrike, pastrimin ditor, etj. Ndërsa, sa i përket shpenzimeve të udhëtimit, akomodimit, ushqimit, dërgimit të materialeve promovuese, etj. të subjekteve pjesëmarrëse, ato do të merren përsipër nga vet subjektet pjesëmarrëse në këtë panair.

Njëkohësisht, KIESA njofton se me datë 28.02.2023, ora 14:00, në sallën e takimeve të KIESA-s, zyrtarët e kësaj të fundit do t’u përgjigjen pyetjeve lidhur me organizimin e panairit dhe do të ofrojnë ndihmë dhe këshilla për procesin e aplikimit.

Në fund, KIESA njofton se subjektet e interesuara duhet të plotësojnë aplikacionin dhe se bashku me dokumentet tjera të kërkuara duhet t’i dërgojnë më së largu deri më 03.03.2023 në mënyrë elektronike në: Export.Kiesa@rks-gov.net.

Informata më të detajuara rreth kësaj thirrjeje dhe procesit të aplikimit mund të gjinden në https://kiesa.rks-gov.net/Page.aspx?id=1,5,672.

article image