Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA) shpall thirrjen publike për pjesëmarrje në shtandin shtetëror të Kosovës në panairin e produkteve ushqimore dhe të pijeve “Summer Fancy Food Show 2022” në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 12-14 Qershor 2022.
Kjo thirrje e MINT dhe KIESA ka për qëllim promovimin e kompanive prodhuese kosovare në gjetjen e tregjeve të huaja për eksport.
Më tej, në thirrje thuhet se prezantimin shtetëror e organizon MINT, përkatësisht KIESA, e cila mbulon shpenzimet për hapësirën ekspozuese, ndërtimin e shtandit, regjistrimin e tri (3) subjekteve pjesëmarrëse, shpenzimet e energjisë elektrike, pastrimin ditor etj. Ndërsa, sa i përket shpenzimeve të udhëtimit, akomodimit, ushqimit, dërgesës së materialeve promocionale etj. të subjekteve pjesëmarrëse, ato do të merren përsipër nga vetë subjektet pjesëmarrëse.
Njëkohësisht, KIESA njofton se me datë 11.05.2022, ora 14:00, në sallën e mbledhjeve të KIESA-s, zyrtarët e kësaj agjencie do t’u përgjigjen pyetjeve lidhur me organizimin e panairit dhe do të ofrojnë ndihmë dhe këshilla për procesin e aplikimit.
Në fund, KIESA njofton se subjektet e interesuara duhet të plotësojnë aplikacionin dhe ta dërgojnë atë jo më vonë se data 20.05.2022 në Arkivin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rr. “Arbënor e Astrit Dehari” nr. 12, 10000, Prishtinë, Republika e Kosovës. Informacione më të hollësishme për këtë thirrje mund të gjeni këtu.