Lidershipi i pronarit të një biznesi të vogël gjatë periudhave të krizës

Bota në shekullin e 21-të po kalon një periudhë krize dhe nuk ka asnjë shenjë stabiliteti të paktën deri në të ardhmen e afërt. Gjëja e parë që na kujton ky fakt është domosdoshmëria e menaxhimit të krizës për çdo biznes. Sa më i vogël është biznesi për nga madhësia, menaxhimi i krizës gjithmonë e më shumë bie mbi supet dhe aftësitë e pronarit. Kjo është arsyeja pse roli i pronarit të biznesit do të jetë edhe më vendimtar gjatë viteve të ardhshme, të paktën përgjatë dekadës së ardhshme, kur bota do të kalojë nëpër kohë paqëndrueshmërie.

Një drejtues i mirë biznesi e menaxhon kompaninë e tij/saj duke marr vendime të duhura strategjike dhe duke siguruar burimet dhe mbështetjen e nevojshme që operacionet të jenë të suksesshme. Kjo vlen edhe përgjatë periudhave të krizës kur presioni nga jashtë shtohet bashkë me shqetësimet, frikën dhe nxitimin. Në këtë kontekst, roli dhe përgjegjësitë e drejtuesve të biznesit janë bërë detyrimisht shumëdimensionale. Nga njëra anë, janë synimet për inovacion, profitabilitet, zgjerim i hises së tregut të cilat janë padyshim të rëndësishme. Mirëpo kontrolli i kostove, qarkullimit të parasë dhe zinxhiri i furnizimit përbëjnë një tjetër fokus të rëndësishëm për pronarët që vjen si rezultat i zhvillimeve të fundit vendore dhe globale. Një lider i zoti është ai që zgjidh çështjet urgjente duke marrë në konsideratë problematikat që do të jenë në rend dite edhe pas periudhës së krizës.

Aspektet e dhëna më poshtë paraqesin qëndrimet praktike që drejtuesit/pronarët e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) duhet t’i shfaqin gjatë momenteve të papritura të krizave:

Vendimmarrje e shpejtë
Kërkohet vlerësimi i shpejtë i informacioneve dhe vendimmarrje e shpejtë pasi që gjatë situatës së krizës gjendja ndryshon shumë shpejt. Me qëllim të arritjes së këtij objektivi, pra marrje e vendimeve shpejtë, kërkohet përcaktim i prioriteteve, reagim i shpejtë sesa të qenit i përpiktë, heqje dorë nga disa objektiva, përshkrimi solid i luftës kundër krizës, nxitje për të vepruar dhe tolerim i gabimeve.

Motivimi i stafit
Ka shumë gjasa që gjatë periudhave të krizave niveli i motivimi të stafit të ulet. Stafi duhet të informohet për objektivat, vendimet dhe masat e marra për krizën në mënyrë që të rritet motivimi. Miratimi i objektivave të reja dhe përpjekjet drejt tyre mund të sigurohen duke i bërë të dukshme prioritetet e reja dhe duke i përsëritur ato vazhdimisht. Në këtë drejtim, një theks i veçantë duhet t’i kushtohet personelit të vijës së parë i cili është në kontakt të drejtpërdrejtë me klientët. Udhëheqësi (pronari) nuk duhet të hezitojë të marrë mendime nga stafi sa herë që është nevoja, dhe t’i kombinojë ato me mendimet e ekspertëve. Do të ishte gjithashtu e udhës që të mbështeteshin aftësitë drejtuese apo të lidershipit të punonjësve sepse kjo do ta lehtësonte jashtë mase  punën e pronarit.

Fleksibiliteti dhe disiplina
Është e rëndësishme të ruani balancën në mes të fleksibilitetit dhe disiplinës edhe pse në parim të dyja këto duke janë në kontradiktë mes vete. Për shembull, niveli i panikut në fillim të një krize mund të ndryshojë brenda stafit. Lideri duhet të jetë i vetëdijshëm për faktin se çdo individ është unik dhe lideri duhet të jetë empatik ndaj tyre. Është e rëndësishme të fitohet besimi i punonjësve dhe të arrihet qetësia në këtë periudhë. Por kërkohet të mbahet disiplina dhe punët të kryhen me përpikëri pasi ka gjasa të ketë probleme financiare dhe të ngjashme të shkaktuara nga kriza. Disiplina duhet mbahet së pari nga lideri për të shërbyer si model në kohët e vështira.

Vlerësimi ndaj të tjerëve
Shprehja e vlerësimit ndaj klientëve, stafit dhe furnitorëve prodhon një relaksim mendor kur krizat afrohen. Për më tepër, kjo qasje ka edhe një benefit tjetër të veçantë e që ka të bëjë me instalimin e një kulture organizative që bazohet në vlerësimin dhe mirënjohen e hisenikëve të kompanisë gjë e cila shpeshherë neglizhohet gjatë rritjes së NMVM-ve.

Me pak fjalë…
Përveç humbjeve kritike të pashmangshme, periudhat e krizës janë një mjet për të krijuar, për të realizuar ide inovative dhe për të dalë nga zona e rehatisë. Andaj mbytja në vorbullën e krizës apo ripërtëritja me krizën janë dy rezultatet e krejt të ndryshme dhe vendimi se në cilin drejtim të shkojë kompania varet shumë nga aftësitë e lidershipit të pronarit.

article image