Përdorimi i TIK-ut në NMVM-të kosovare dhe ndikimi i tij në tregtinë online

Është e vështirë të thuhet se sa e madhe është rëndësia e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në biznes. TIK-u përmirëson efikasitetin, efektivitetin dhe i lejon bizneset t’i përgjigjen menjëherë nevojave të klientëve. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (të vitit 2019), më poshtë ofrojmë një pasqyrë rreth përdorimit të TIK-ut në kompanitë kosovare, sipas madhësisë së ndërmarrjeve. Specifikisht, ne do të fokusohemi tek disa tregues siç janë përdorimi i Kompjuterit Personal (PC), përdorimi i internetit, përdorimi i ueb faqes, përdorimi i rrjeteve sociale dhe tregtia elektronike, përkatësisht shitjet dhe blerjet përmes ueb-it. Për klasifikimin e ndërmarrjeve sipas madhësisë jemi bazuar në numrin e punonjësve (Komisioni Evropian, Definimi i NVM-ve):

  • Ndërmarrjet e vogla (10-49 punonjës),
  • Ndërmarrjet e mesme (50-249 punonjës),
  • Ndërmarrjet e mëdha (250+ punonjës).

Në bazë të rezultateve vërehen modele interesante të përdorimit të TIK-ut në ndërmarrjet kosovare. Në fakt, disa nga gjetjet janë shumë premtuese, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Për shembull, nëse i analizojmë treguesit e përdorimit të kompjuterit dhe internetit, vërejmë se përqindja e NVM-ve që përdorin PC dhe internet është më e lartë në krahasim me ndërmarrjet e mëdha. Në përgjithësi, kompanitë më të vogla zakonisht operojnë në sektorë (p.sh. sektori i shërbimeve) ku PC dhe qasja në internet janë thelbësore për stafin e tyre me qëllim të realizimit të aktivitetet e përditshme të biznesit. Përqindja relativisht e lartë e NVM-ve që përdorin PC dhe internet është gjithashtu një shenjë pozitive që flet për pjekuri të sektorit dhe ngritje të nivelit të profesionalizmit tek NVM-të. Nga ana tjetër, kompanitë e mëdha të cilat natyrisht kanë më shumë punonjës operojnë në sektorë, (p.sh., prodhim) ku në përgjithësi, një PC për punonjës ose qasja në internet nuk kërkohet domosdoshmërisht. Për më tepër, kompanitë më të mëdha shfrytëzojnë rrjete të avancuara dhe të shtrenjta të intranetit për komunikim të brendshëm në vend të internetit.

Një tjetër gjetje pozitive ka të bëjë me përdorimin e rrjeteve sociale. Rezultatet tregojnë se në përqindje, ka më shumë NVM që i përdorin rrjetet sociale krahasuar me ndërmarrjet më të mëdha. NVM-të kosovare përdorin rrjetet sociale për promovim dhe ndërveprim me klientët pasi ato janë më të përshtatshme, të përballueshme financiarisht dhe mund të përdoren lehtë për targetim të klientelës. Edhe në këtë rast, përqindja e madhe e NVM-ve që përdorin rrjetet sociale tregon se këto kompani e kanë kuptuar qartë rëndësinë e kanaleve të tilla prandaj edhe i përdorin ato. Në anën tjetër, sipas nesh arsyeja pse firmat më të mëdha i  përdorin më pak rrjetet sociale ka të bëjë kryesisht me faktin se ato fokusohen në kanale të tjera (p.sh., televizion, ueb faqe, reklama në Google) të cilat janë më të sofistikuara dhe të përshtatshme për të përvetësuar klientët e tyre të targetuar. Gjithashtu, kompanitë e mëdha kanë më shumë kapacitete financiare për të shpenzuar në këto kanale, krahasuar me firmat më të vogla të cilat zakonisht kanë një buxhet të kufizuar. Sa më e vogël që është kompania, përdorimi i rrjeteve sociale lidhet më ngushtë me përdorimin personal të rrjeteve sociale të pronarit/menaxherit. Ndërgjegjësimi për përdorimin e rrjeteve sociale si një mjet biznesor për NMVM-të është një çështje e rëndësishme që duhet ngritur. Rrjetet sociale janë habitati më liberal për sa i përket komunikimit në treg ku diferenca midis kompanive të vogla dhe të mëdha sa i përket kapitalit dhe fuqisë së tyre korporative është minimale. Kjo pra është edhe arsyeja pse rrjetet sociale ofrojnë shumë mundësi për NMVM-të dhe i bënë ato të mos luftojnë vetëm për mbijetesë në treg, pavarësisht madhësisë së tyre.

Megjithatë, historia ndryshon kur i analizojmë treguesit e tjerë. Para së gjithash, të dhënat e mësipërme tregojnë se përqindja e NVM-ve që përdorin ueb faqen është krahasimisht më e ulët se e kompanive të mëdha. Ne besojmë se arsyeja pse jo shumë NVM përdorin ueb faqe është sepse ato nuk e kanë një të tillë ndërsa zhvillimi dhe mirëmbajtja e një ueb faqeje mund të jetë e kushtueshme për ta. Kjo është në linjë me argumentin e lartpërmendur pse këto kompani vendosin të fokusohen më shumë në rrjete sociale. Së dyti, një situatë e ngjashme ekziston edhe sa i përket tregtisë elektronike. Pra, krahasuar me kompanitë e mëdha, një përqindje më e vogël e NVM-ve angazhohen në tregti elektronike ose shitje/blerje përmes internetit. Kjo sigurisht lidhet me pikën e parë; NVM-të që nuk përdorin ueb faqe kanë më pak gjasa të merren me tregti elektronike, kryesisht për shkak të kostove të larta të investimit dhe mungesës së ekspertizës. Edhe pse për këtë qëllim NMVM-të mund t’i shfrytëzojnë platformat e shumta dixhitale qoftë lokale ose globale. Për shkak të pandemisë, shumë NMVM veçse kanë filluar shitjet online përmes platformave për tregti dixhitale. Me pak fjalë, NMVM-të dhe pronarët/menaxherët e tyre inkurajohen që të qasen në tregje të tilla dhe të fillojnë të realizojnë të hyra nga këto kanale, përveç të hyrave nga kanalet tradicionale të shpërndarjes së produkteve/shërbimeve.

Sido që të jetë, pandemia Covid-19 vuri në pah rëndësinë e madhe të tregtisë përmes internetit. Në këtë kuptim, NVM-të duhet të konsiderojnë seriozisht kalimin në kanale të shitjeve përmes internetit meqenëse edhe zakonet e klientëve tashmë kanë ndryshuar. Për këtë arsye, në vijim do të elaborojmë tre opsione që NVM-të në Kosovë mund t’i konsiderojnë për shitje online:

  • Ueb faqja e kompanisë: Një nga alternativat më të popullarizuara është zhvillimi i një ueb faqeje për kompaninë tuaj. Avantazhi i kësaj alternative është se ju jep kontroll të plotë mbi çdo aspekt të ueb faqes dhe jeni të lirë të manovroni me ofertat, gamën e produkteve dhe të përditësoni vazhdimisht përmbajtjen. Megjithatë, ju duhet të paguani për një domen, të siguroni hostimin e ueb faqes, të dizajnoni atë dhe të plotësoni dhe përditësoni me materiale. Përndryshe, mundësia tjetër është të kontraktoni një zhvillues të jashtëm për dizajnim, zhvillim dhe hostim të ueb faqes, por që kuptohet kjo do të kushtonte më shumë.
  • Platformat e tregjeve online: Tregjet online janë platformat të cilat u mundësojnë shumë shitësve të shesin produktet e tyre në të njëjtën hapësirë. Krahasuar me opsionin e parë apo zhvillimin e një ueb faqeje të kompanisë, platformat e tregjeve online janë tashmë të zhvilluara me të gjitha funksionalitetet përcjellëse. Megjithatë, kompanitë në ketë rast janë më të kufizuara të manovrojnë me faqen dhe të përshtatin e personalizojnë detajet. Disa nga këto faqe janë falas, ndërsa në disa të tjerat duhet të paguhen tarifat për listim të produkteve ose marrin një përqindje për secilën shitje. Ky opsion krijon mundësi për NMVM-të në Kosovë të rrisin shitjet (dhe profitabilietin) e tyre pa ndonjë investim të madh në marketing dhe shitje. Është gjithashtu një mundësi e mirë për të përvetësuar segmente të reja klientëve, gjë e cila është e pamundur të arrihet përmes metodave tradicionale të marketingut/shitjes. Avantazhi më i madh i platformave është se kur bëhet fjalë për platforma dixhitale, hendeku midis brendeve të mëdha dhe të forta dhe kompanive të vogla ngushtohet shumë.
  • Rrjetet sociale: Kur jemi tek shitjet online, rrjetet sociale janë një tjetër zgjidhje praktike për NMVM-të, me Facebook-un dhe Instagram-in si platformat më të përdorura. Kjo mbështetet edhe nga të dhënat më lartë të cilat treguan se një pjesë e madhe e NVM-ve kosovare tashmë i përdorin rrjetet sociale. Megjithatë, mesazhi ynë këtu është i qartë: rrjetet sociale duhet të përdoren jo vetëm për të bashkëvepruar me klientët, por edhe për shitje online. Krejt në fund, anëtarësimi dhe monitorimi i këtyre grupeve ju ndihmon të kuptoni më mirë konkurrentët, luhatjet e çmimeve dhe kërkesat e klientëve. Edhe nëse jeni një kompani mikro ose e vogël, duhet të keni një strategji të përdorimit të rrjeteve sociale me qëllim të ndërtimit të një brendi të fortë. Dhe mos harroni se edhe një kompani e vogël e ka kapacitetin dhe krejt atë që nevojitet për të ndërtuar një brend të fortë përmes kanaleve dixhitale dhe rrjeteve sociale. Por siç e cekëm më lartë, pika fillestare është diferencimi i llogarive personale dhe atyre biznesore të rrjeteve sociale.
article image