Rendi i ri botëror kërkon biznese të reja

Ka tash e disa vite që jemi pjesë e një procesi të gjerë dhe të shpejtë të transformimit global. Shkaktarët ndër vite kanë qenë: kriza e vitit 2008, më pas një periudhë rikuperimi për ekonominë botërore, dhe sapo ekonomia botërore po rimëkëmbej, atëherë shpërtheu pandemia. Sikur kjo të mos mjaftonte, shenjat pozitive të rikuperimit ekonomik pas pandemisë i zbehu fillimi i luftës Rusi-Ukrainë. Nëse këto evente do të vinin sipas një rendi apo një nga një, atëherë rendi botëror do të vazhdonte rrugën e tij të zakonshme me disa ndryshime të vogla. Mirëpo shumë nga këta shkaktarë ndodhën përnjëherë brenda një kohë të shkurtër të historisë botërore gjë e cila pati ndikime të larta në rendin botëror. Me pak fjalë, mund të themi se ka shenja të ndryshimeve thelbësore në rendin botor që ka mbizotëruar në 40 vitet e fundit. Balanca midis zotërimit të teknologjisë ose posedimit burimeve natyrore po zhvendoset me hapa të shpejtë në favor të teknologjisë në ditët e sotme. Të gjithë këta shkaktarë dhe kundër-efekte të kohëve të fundit na tregojnë se kompetencat tradicionale të çdo lloji (qoftë në nivel shtetesh, biznesesh apo individësh) nuk do të mjaftojnë  për nevojat e së ardhmes (apo ndoshta ne veçse jemi në të ardhmen e ekonomisë dhe politikës botërore?). Në këtë drejtim, vendet po rishikojnë qasjet e tyre tradicionale politike dhe kompanitë globale po ndryshojnë strategjitë e tyre afatgjata. Jeta e përditshme, përballueshmëria dhe kërkesat e individëve po ndryshojnë gjithashtu gjatë këtij transformimi. Ndërkohë që e vjetra po “vjetërohet” shpejt, “e reja” po bëhet “e vjetër” më shpejt se kurrë dhe çdo ditë e më shumë “e reja” po hyn në skenë. Në të gjitha këto rrethana ne duhet të përgatitemi për “të renë” si ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM). Misioni më i rëndësishëm i pronarëve dhe menaxherëve të NMVM-ve do të jetë udhëheqja (ose të paktën përballimi) i kompanive përgjatë këtyre dinamika në 10 vitet e ardhshme. Talenti më i kërkuar për këtë periudhë është kompetenca e menaxhimit strategjik e pronarëve dhe menaxherëve. Andaj ky është edhe qëllimi i këtij artikulli, të shërbejë si pikënisje e debatit se si NMVM-të të qëndrojnë “të reja” përderisa bota po merr një drejtim të ri. Ky artikull ju dedikohet kryesisht bizneseve B2B ku klientët janë firmat dhe jo individët. Megjithatë, artikulli mund të përshtatet lehtësisht dhe të jetë i dobishëm edhe për bizneset e tjera nëse fokusi zhvendoset tek furnitorët të cilët janë gjithashtu shumë të rëndësishëm për suksesin e çdo biznesi.

Të gjitha zhvillimet në nivel global kanë një efekt në rritjen e pasigurisë së përgjithshme. Andaj strategjia më e zgjuar në këtë rast është zgjerimi i dyshemesë ku ndodhet një biznes. Nëse e përkthejmë këtë fjali për NMVME-të i bie “Zgjerimi i bazës së klientëve dhe produkteve/shërbimeve”. Pra NMVM-të duhet të përmirësohen sa i përket strategjive të përvetësimit të klientëve të rinj. Përveç kësaj, ju mund të keni klientë ekzistues të cilët krijojnë pak të hyra dhe duhet ta konsideroni përmirësimin e fitimeve tuaja nga  ta. Zakonisht një klient i ri preferohet të jetë klient i besueshëm. Pos klientëve si individ, tregu është plot me kompani “të reja por të ndritura”, që pritet të jenë biznese të forta në të ardhmen dhe që mund t’i konsideroni për bashkëpunim. Mirëpo edhe nëse arrini t’i njihni, bashkëpunimi me këto ka rreziqe sepse nuk e kanë arritur akoma maturitetin. Kjo është pika ku nevojitet përvoja, inteligjenca e tregut dhe talenti i menaxhimit strategjik për të bashkëpunuar.

Rendi i ri botëror ju kërkon kompanive talente me kompetenca të reja e zakonisht këto të fundit i posedon gjenerata e dytë e familjes. Kjo është arsyeja pse kompanitë duhet t’i integrojnë sa më shumë gjeneratat e reja në kompani sepse kjo direkt ndikon në sjelljen e këtyre kompetencave të reja që ndryshimet globale po i kërkojnë. Përderisa bota dhe tregu po ndryshojnë gjithnjë e më shpejt, kompanitë e suksesshme nuk do të mund ta ruajnë suksesin e tyre në të ardhmen duke bërë të njëjtat gjëra që kanë bërë në të kaluarën. Ato kanë nevojë për “gjak të ri në vena”. Burimi i “gjakut të ri” të nevojshëm për NMVM-të gjendet zakonisht vetëm brenda familjes ose kompanisë. Kjo sepse nuk është e lehtë të zbulosh talent të rinj jashtë kompanisë dhe është akoma më e vështirë t’i mbash ata në kompani për një afat të gjatë. Ju duhet të keni një bazë klientësh me kompetenca të reja për të përmbushur rendin e ri botëror. Po ashtu duhet të punoni me bizneset e suksesshme për të integruar gjeneratën e dytë në kompani.

Teknologjia do të bëhet akoma më kritike për nivelin strategjik të çdo biznesi për suksesin afatgjatë të tyre. Bizneset që qëndrojnë më pranë teknologjive inovative, investojnë në teknologji dhe përdorin teknologjinë në mënyrë efektive do të jenë në hap me trendet dhe zhvillimet. Përveç kësaj, bizneset duhet ta rrisin portfolion e klientëve përdorues të teknologjisë. Në fakt, ky model biznesi dhe ky tip i klientëve duhet të jetë prioritet në strategjinë e inkorporomit të klientëve të rinj dhe zhvillimit të biznesit.

Kompanitë me më shumë produkte/shërbime me vlerë të shtuar që i dallon ato nga konkurrenca masive dhe me aftësinë e Kërkimit dhe Zhvillimit (R&D) janë teknikisht më afër të qenit “të reja” në rendin e ri botëror. Kjo është arsyeja pse çdo biznes me këtë lloj klientele pritet të mos jetë “i vjetëruar”. Përveç kësaj, kompanitë që veprojnë në mënyrë proaktive për zgjerimin e biznesit të tyre në tregje të reja do të ulin rreziqet e tyre të tregut duke pasur një potencial për të rritur profitabilitetin e tyre. Klientët e tillë ulin gjithashtu rrezikun e arkëtimit. Një gjë duhet mbajtur mend se përdorimi i kanaleve të marketingut dixhital në sistemin e marketingut dhe shitjeve ka qenë shumë fitimprurës për shumë kompani deri tash. Mirëpo kjo qasje nuk mund të cilësohet më si novatore dhe për më tepër ajo po konsiderohet tashmë qasje tradicionale. Kompanitë që kanë investuar në kanalet e marketingut dixhital gjatë 10 viteve të fundit tashmë janë shndërruar në “kompani të mëdha” ose korporata.  Pra investimi në kanale dixhitale ka qenë diçka e fondamentale që biznesi të mos “vjetërohet” në treg. Andaj me qëllim të arritjes së suksesit afatgjatë të biznesit tuaj, ju duhet të kujdeseni për klientët tuaj duke përdorur kanalet e marketingut dixhital.

Po e përfundojmë këtë artikull duke ritheksuar se ndryshimet e lartëcekura në strukturën e klientelës tuaj janë rruga që duhet ta ndiqni drejt suksesit afatgjatë të biznesit tuaj, pas krizës globale financiare, pandemisë dhe epokës së pasluftës.

article image