Rreziqet e NMVM-ve të imponuara nga pronari

Pronari i biznesit është motori kryesor drejtues në një ndërmarrje mikro, të vogël dhe të mesme (NMVM). Tiparet e pronarit janë burime për ide të reja dhe inovacion, marketing dhe shitje, prodhimi të mallrave ose shërbimeve, menaxhim të operacioneve të përditshme dhe rritje afatgjatë, blerje, etj. Pronari i biznesit të një NMVM-je i kryen këto detyra duke vendosur kapela (role) të ndryshme në kokë.

Kapelet e pronarit të biznesit

Pronari e vendos kapelën e ndërmarrësit në fazat fillestare kur e themelon biznesin dhe më pas për të inkorporuar ide të reja dhe inovacione. Kapela e teknikut vendoset për funksionimin e rregullt dhe pa gabime të operacioneve të përditshme. Ndërsa kapela e menaxherit është e nevojshme për të siguruar koherencë të aktiviteteve dhe funksioneve të biznesit në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë. Pronari duhet t’i mbajë këto kapele me vete gjatë gjithë kohës pasi që edhe gjatë ditës mund të paraqitet nevoja që rolet të ndërrohen. Këto kapela apo role janë më se të mjaftueshme në fillim të themelimit të biznesit ndërkohë që ekziston mundësia që ato mos jenë të mjaftueshme gjatë rritjes së biznesit. Kjo është arsyeja pse katër tiparet kryesore personale të një pronari biznesi janë faktorët kryesorë për një rritje të qëndrueshme dhe të shëndetshme. Më poshtë jepet një grafik që përshkruan situatën ideale dhe atë reale apo tipike të një pronari të NMVM-ve sa i përket këtyre tipareve për të ilustruar diferencën e cila është edhe arsyeja kryesore e dështimeve gjatë rritjes së një biznesi të vogël.

Tiparet e pronarit të biznesit

Në fillim të operimit të çdo biznesi të vogël, aftësitë e nevojshme për ta drejtuar me sukses kompaninë bazohen kryekëput në tiparet e pronarit. Kjo është arsyeja pse drejtimi dhe rritja e biznesit në fazat fillestare është relativisht i lehtë. Ndërsa biznesi zhvillohet, rritja e tij e mëtutjeshme do të ketë nevojë për tipare më të sofistikuara dhe kjo kërkesë nuk është lineare, por eksponenciale me nivelin e rritjes.

Secili grup me tipare të pronarit vjen në pah dhe fillon të testohet gjatë fazave të ndryshme procesit të rritjes së NMVM-së. Për shembull, tiparet ndërmarrëse janë kyçe veçanërisht për të kapur mundësitë e tregut. Tiparet teknike vijnë në shprehje gjatë rritjes së biznesit deri në një farë mase. Tiparet personale të ndërmarrësit janë më së të nevojshme për të nisur procesin e rritjes dhe për ta përcjellë atë sipas nevojës në periudhë afatshkurtër pas themelimit. Ndërsa tiparet menaxheriale nuk janë të mjaftueshme përgjatë procesit të rritjes dhe janë pikërisht këto tipare të cilat deri diku shihen si barrierë për rritje. Aftësitë menaxheriale dhe kompetencat e një pronari biznesi janë burimi kryesor i rreziqeve për një biznes në rritje. Nëse ka diçka që një pronari biznesi duhet të përmirësojë, atëherë janë tiparet menaxheriale të tij/saj.

Në përgjithësi, tiparet e pronarit të biznesit si tërësi, gjithmonë duhet të shkojnë përtej edhe vetë biznesit. Përndryshe, biznesi do të ecë në rrugën e tij dhe pronari do të tërhiqet zvarrë nga rritja pa dashje. Kjo është pika ku fillojnë të paraqiten rreziqet e para të lidhura me pronarin. Pra, po flasim për situatën ku ju si pronar qëndroni pas biznesit në vend që të jeni para tij dhe karakteristikat tuaja të përcaktojnë tempon e rritjes. Pronari duhet të jetë në vijën e parë në çdo aspekt të biznesit, qoftë si sipërmarrës, menaxher, ndonjëherë edhe teknik (edhe pse gjatë rritjes së një biznesi aftësitë teknike të një pronari biznesi nevojiten gjithnjë e më pak, pronari mjafton të ketë mjaftueshëm aftësi konceptuale dhe i aftë për të dhënë drejtim ose për të kontrolluar mbarëvajtjen e kompanisë).

Si përfundim, pronari i biznesit të një kompanie të vogël është edhe lideri i saj. Lideri duhet të ketë vizion përtej pozicionit aktual të biznesit dhe t’u japë besim jo vetëm punonjësve, por edhe furnitorëve dhe konkurrentëve në treg. Rreziqet për një NMVM rriten në rast se pronari i kompanisë dhe tiparet e tij/saj direkt apo indirekt e kufizojnë rritjen e biznesit përderisa ky i fundit është në rritje. Për të shmangur rrezikun, pronarët duhet të zhvillojnë aftësitë e tyre duke filluar nga ato menaxheriale dhe ta përmirësojnë vetën vazhdimisht përgjatë rrugëtimit të biznesit.

article image