Rritet niveli i pagave në Kosovë gjatë vitit 2021: Implikimet për NMVM-të

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare (bruto) në Kosovë është rritur në 484 Euro në vitin 2021.

Pavarësisht rënies në vitin 2020, hapja e ekonomisë pas pandemisë në 2021 rriti nivelin e përgjithshëm të pagave. Duke qenë se sektori privat përbën numrin më të madh të të punësuarve në raport me numrin total të të punësuarve në vend, me lehtësimin e masave të pandemisë u pa një rritje të pagave mesatare në 484 Euro në nivel vendi.

Nga ana tjetër, rritja e pagave mesatare sinjalizon të paktën dy elemente: rritjen ekonomike të vendit dhe rritjen e kostove operative për firmat. Për këtë të fundit, pronarët/menaxherët e bizneseve duhet të gjejnë mënyra për të menaxhuar në mënyrë efektive rritjen e kostove së pagave. Ndër të tjera, me qëllim të uljes së kostove, NMVM-të mund të intervenojnë përmes aspekteve të mëposhtme:

  • Automatizimi i aktiviteteve bazike dhe manuale: Për aktivitete manuale dhe që bazohen në kapital intensiv njerëzor, konsiderojeni si alternativë kontraktimin e disa prej tyre tek kontraktues të jashtëm të cilët mund t’i përformojnë ato me kosto me të ulëta se ju. Ose, investoni në softuerë dhe sisteme që mund të zëvendësojë fuqinë punëtore dhe të rrisin efikasitetin.
  • Optimizimi i orarit të punonjësve: Bëni një plan pune i cili edhe nëse nuk e shkurton orarin e punës, të paktën e zvogëlon punën jashtë orarit. Përndryshe, mund të konsideroni mundësinë e rekrutimit të punonjësve të përkohshëm ose me kohë të pjesshme me ç’rast mund të ulen kostot e larta të punonjësve me kohë të plotë.
  • Rishikimi i skemave të bonusit: Edhe pse nuk është ndër zgjidhjet më të preferueshme, rishikimi i skemës së bonuseve është gjithmonë një alternativë e mundshme ne raste te rritjes së kostove ose tkurrjes së të ardhurave. Kjo mund të implementohet si zëvendësimin e bonuseve financiare me shpërblime të tjera jo-financiare, si p.sh ofrimit i orarit fleksibil të punës, ditë të lira shtesë, më shumë autonomi në punë, trajtim individual i nevojave dhe kërkesave të punonjësit etj.
  • Përmirësimi i sistemit të kontrollit dhe auditimit: Një nga betejat kryesore për një NMVM në rritje është humbja e pjesërishme (mbi disa funksione të biznesit) apo totale kontrollit mbi biznesin. Me këtë rast fillon një reaksion zinxhiror apo sistematik që çon drejt joefikasitetit dhe humbjes së mjeshtërisë. Për t’i ikur këtij problemi, pronari i një NMVM-je në rritje duhet të përcaktojë aktivitetet që duhet t’i delegoj tek të tjerët dhe më pas të krijoj një sistem kontrolli dhe auditimi, në vend të përpjekjeve personale të tij/saj të mëparshme për kontroll.
article image