Shumica dërrmuese e ndërmarrjeve të reja në Kosovë janë ndërmarrje mikro që punësojnë më pak se 10 punëtorë. Gjatë vitit 2020 janë regjistruar 9,805 ndërmarrje të reja. Grafiku i mëposhtëm paraqet numrin e firmave të reja të regjistruara sipas madhësisë gjatë vitit 2020.
Shumica e firmave (98.8%) ishin mikrondërmarrje (me më pak se 10 punëtorë). Ndërmarrjet e vogla (10-49 punonjës) përbëjnë 1.1%. Ndërsa, në vitin 2020 ishin vetëm 8 ndërmarrje të mesme (50-249 të punësuar) dhe 3 ndërmarrje të mëdha (+250 punonjës), ose gjithsej 0.1%.
Tash e shumë vite, studime të shumta kanë dëshmuar se bizneset e vogla dhe ato në rritje janë vendimtare për zhvillimin ekonomik dhe për prosperitetin e një shteti. Edhe në Kosovë, bizneset e vogla janë motori i ekonomisë dhe ku janë të punësuar pjesa më e madhe e fuqisë punëtore. Bizneset e reja të vogla zakonisht mbështeten në burimet personale të financimit të themeluesit, kreditë nga bankat dhe dhuratat ose huatë nga miqtë dhe anëtarët e familjes. Kompanitë e vogla shpesh përqendrohen në një treg të veçantë me vetëm pak punonjës dhe janë në gjendje të mbijetojnë duke shitur një produkt ose shërbim të vetëm në nivel lokal në një treg shumë specifik. Kur klientët njohin pronarin dhe punonjësit, ata kanë më shumë gjasa të mbështesin biznesin.
Për më tepër, bizneset e vogla përshtaten lehtë me ndryshimet e kushteve të tregut pasi janë në kontakt të vazhdueshëm me klientët dhe mund të vërejnë ndryshime në preferenca. Po ashtu, bizneset e vogla janë më të gatshme të rrezikojnë në krahasim me kompanitë e mëdha. Ato mund të testojnë produkte të reja me investim minimal pa rrezikuar të pësojnë humbje ekstreme.
Megjithatë, NMVM-të në tregjet në zhvillim, siç është Kosova, përballen me disa sfida specifike. Prandaj, më poshtë janë të përmbledhura aspektet kryesore NMVM-të në një kontekst të tillë duhet t’i kenë parasysh:
- Tregu i specializuar (niche): Bizneset e vogla mbijetojnë jo duke konkurruar drejtpërdrejt me korporatat e mëdha, por duke u fokusuar në boshllëqet e pambuluara të tregut që firmat më të mëdha i shpërfillin. Me fjalë të tjera, NVMV-të nuk duhet të rrezikojnë, të paktën jo në fazën fillestare, të hyjnë në tregje të ndryshme njëkohësisht, pasi kjo mund të rezultojë negativisht me humbje të mundësive dhe me një klientelë jo të shërbyer siç duhet. Pra, NMVM-të duhet të vlerësojnë me kujdes pozicionimin e brendit të tyre në treg dhe të targetojnë një klientelë specifike. Me pak fjalë, NMVM-të lehtësisht mund të shndërrohen në brende të forta në tregjet niche, pavarësisht nga ekzistenca e konkurrentëve më të mëdhenj.
- Reklamimi në rrjetet sociale: Në tregjet në zhvillim si Kosova, është thelbësore për firmat e vogla që të gjejnë kanale të reja për të plasuar produktet e tyre. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021 96.1% e familjeve në Kosovë patën qasje në internet, përqindje kjo më e lartë se mesatarja e BE-së (92%). Në këtë kuptim, interneti ofron kanale të panumërta alternative për pronarët e bizneseve që të rrisin shitjet e tyre. Ndër të tjera, pronarët e bizneseve të vogla mund të përfitojnë thjesht duke hapur llogari/faqe në rrjetet sociale për bizneset e tyre ku mund të promovojnë produktet/shërbimet e tyre dhe të ndërveprojnë me klientët. Ata duhet të monitorojnë nga afër të gjitha kanalet e tyre kryesore të rrjeteve sociale dhe t’u përgjigjen klientëve potencial me shpejtësi dhe saktësi. Në fakt, për t’u bërë një brend i fortë vlerë marketingu, çdo kompani e vogël duhet të ketë një strategji për kanalet dixhitale. Rrjetet sociale si habitat marketingu dhe tregtia online si mjedis shitjesh janë në dispozicion të çdo NMVM-je e cila ka një strategji solide për to.
- Fleksibiliteti: NMVM-të duhet të mësojnë se si të jenë fleksibile, veçanërisht në periudhën pas pandemike dhe të luftës në Ukrainë. Për më tepër, duke pasur parasysh burokracitë që ekzistojnë në vendet në zhvillim, pronarët duhet të jenë shumë pragmatikë dhe efikas. Fleksibiliteti është shumë i rëndësishëm për pronarët e bizneseve të vogla pasi i lejon ata të jenë një dëgjues më i mirë i bazës së tyre të klientëve, më të adaptueshëm ndaj ndryshimeve dhe gjithmonë të gatshëm për të parashikuar atë që do të ndodhë. Në mënyrë të veçantë, bizneset e vogla duhet t’i kushtojnë vëmendje të madhe zhvillimeve teknologjike dhe komenteve të klientëve pasi kjo do t’i mbajë një hap para konkurrentëve.
- Partneritetet: Një mënyrë tjetër për të përmirësuar performancën e biznesit të vogël është duke nxitur partneritete me biznese të tjera të vogla dhe duke rritur bazën e klientëve. Idealisht, në një partneritet duhet të përfitojnë të dyja bizneset duke kombinuar burimet, njohuritë ose aftësitë në projekte të përbashkëta. Për shembull, një NMVM mund të bashkëpunojë me një partner për zhvillimin e një produkt të ri, ose mund të organizojë një event që promovon të dyja brendet. Po ashtu, vlen të përmenden partneritetet e mundshme me universitetet, qeverinë dhe kompanitë më të mëdha. Edhe pse në Kosovë nuk është e lehtë ndërtimi i bashkëpunimeve të tilla, nuk duhet harruar se kur ka një vështirësi ka një mundësi.