Ekonomia botërore bashkë me ekonominë tonë lokale në Kosovë ka kohë që po përballen me rritje të indeksit të çmimeve. Sikur kjo të mos mjaftonte, shpërthimi i luftës Rusi-Ukrainë i rriti akoma më shumë çmimet e energjisë dhe kostot e logjistikës. Inflacioni nuk është term i panjohur për ne; ballafaqimi me të na është sikur ri takimi me dikë që e njohim por ka kohë që nuk e kemi parë dhe që është antipatik. Sido që të jetë, është koha që kompanitë pa marr parasysh madhësinë, e në veçanti ndërmarrjet mikro, të vogla, dhe të mesme (NMVM), të mësohen të jetojnë me inflacionin.
Në ekonomitë të cilat përballen me një shkallë të caktuar inflacioni, efekti i këtij të fundit vërehet direkt në kosto dhe çmime. Në fakt, kjo është vetëm maja e ajsbergut sepse efektet më të mëdha gjenden nën ajsberg. Megjithatë, tema e këtij artikulli kufizohet brenda nevojave për dhe menaxhimit të kapitalit qarkullues për NMVM-të nën presionin e inflacionit. Në periudhat e inflacionit, ndërmarrjet e vogla fillojnë të kenë probleme me kapitalin qarkullues për shkak të mungesës së një qasjeje profesionale të menaxhimit financiar. Arsyeja kryesore ka të bëjë me rritjen e shpejtë të kostove dhe e çmimeve, të cilat nuk përcillen nga NMVM-të. Nevoja për kapital qarkullues shtesë nuk vihet re derisa të bëhet problem thelbësor për shumicën e kompanive të vogla.
Në mënyrë që t’i kuptojmë efektet e inflacionit në kapital qarkullues, fillimisht duhet t’i rendisim dhe të kujtojmë komponentët kryesorë të nevojës për kapital qarkullues që ka një NMVM e zakonshme. Më poshtë jepen shpjegimet për secilin nga këto komponentë:
Është e qartë se inflacioni i ka prekur dhe ka pasur një efekt rritjeje në katër komponentët që u cekën më lartë si rezultat i rritjes së kostove në ekonomitë me inflacion në rritje. Si rrjedhojë, kjo kthehet në një rritje të nevojës për kapital qarkullues. Për shembull, rritja e kostos së stoqeve do të rrisë vlerën totale të stoqeve dhe paratë që duhet të rezervohen për të. Përkatësisht do të ketë një rritje të të arkëtueshmeve nga klientët. Rritjet e përgjithshme të çmimeve do të çojnë në një rritje të shpenzimeve të përgjithshme për shkak të rritjes së energjisë, listës së pagave dhe shpenzimeve të tjera. Ndërkohë që çdo komponent i kapitalit qarkullues është në rritje, rritet edhe nevoja për rezervë emergjente. Në fakt, ky është efekti i ashtuquajtur i topit të borës i cili përfundimisht rrit nevojën për kapital qarkullues. Nevoja për kapital qarkullues të NMVM-ve në vendin tonë është gjithashtu në rritje, pasi e njëjta nevojë këto ditë po përjetohet edhe në pjesën tjetër të botës.
Në fazën fillestare të rritjes së çmimeve inflacioni prodhon edhe një tjetër efekt i cili ka të bëjë me rritjen e profitabilitetit përmes transferimit të stoqeve aktuale (vlera e të cilave rritet nga efekti i inflacionit) në para. Ky profitabilitet në fakt është një iluzion dhe është rezultat i rritjes së përgjithshme të indeksit të çmimeve. Në fillim biznesi mund të perceptojë se po gjeneron fitim të lartë duke i shitur stoqet me çmime të larta kur inflacioni sapo ka filluar. Mirëpo në afat të gjatë ajo që ka më shumë gjasë të ndodhë është që biznesi nuk do të jetë në gjendje të zëvendësojë sasi më të larta të stoqeve sesa niveli i mëparshëm.
Është po ashtu e rëndësishme të trajtohet çështja se si rritja e kostove reflektohet në rritje të çmimeve për produktet/shërbimet e NMVM-ve. Nëse një NMVM është në gjendje të reflektojë rritjen e kostove në çmimet që ata i ofrojnë, atëherë rritja e nevojës për kapital qarkullues mund të mbulohet nga diferenca e marzhave të shitjes dhe blerjes. Megjithatë, mbulimi i nevojës për kapital qarkullues shtesë përmes marzhës ekzistuese të fitimit nuk është gjithmonë i sigurt. Në këtë rast krijohet një problem i cili kërkon zgjidhje ose duke injektuar para në biznes ose duke rritur detyrimet e pagueshme të kompanisë. Skenari më i keq është nëse një NMVM nuk është në gjendje të reflektojë rritjen e kostos në çmime. Në këtë rast, e ardhmja nuk është i edhe aq premtuese për këto biznese.