Në pjesën e parë të këtij artikulli është theksuar se rekrutimi i menaxherëve nga jashtë nuk është zgjidhja më e lehtë dhe potencialisht më e suksesshme për një ndërmarrje mikro, të vogël dhe të mesme (NMVM). Historia e NMVM-ve na ka treguar se mënyra më praktike (kjo nuk do të thotë se është edhe më e lehta) për të punësuar një menaxher të ri në një NMVM është ta zhvilloni apo përgatitni atë nga brenda. Në pjesën e parë të artikullit veçse janë përmendur dy nën tema që ishin “Përcaktimi i aftësive të nevojshme ” dhe “Përcaktimi i kandidatëve”. Në këtë pjesë të dytë të artikullit do të trajtohen disa aspekte të tjera të rëndësishme mbi këtë temë.
- Ngarkimi paraprak me përgjegjësi të reja
Punonjësit, në botën reale dhe veçanërisht në NMVM, i përvetësojnë shumicën e shkathtësive të tyre përmes realizimit të detyrave që u caktohen. Madje ekziston një term specifik për këtë praktikë në shkencën e menaxhmentit që quhet “trajnim në punë”. Dhënia e përgjegjësive të reja për të ndihmuar në zgjerimin e shkathtësive ose aftësive të punonjësit mund të ndihmojë në zhvillimin e aftësive të punonjësit dhe përmirësimin e aftësive të tyre menaxhuese. Këto detyra nuk duhet të mbulojnë vetëm aftësitë teknike që duhen përmirësuar, por edhe disa aftësi menaxheriale si, planifikimi, menaxhimi i ekipit, menaxhimi i krizave, llogaridhënia, etj. Punonjësve me potencial të lartë duhet t’u jepen përgjegjësi shtesë dhe të monitorohen për të parë se sa mirë po i kryejnë ato. Atyre duhet t’u ofrohet edhe “feedback” i vazhdueshëm nga menaxherët e tyre të lartë ose nga pronari i një biznesi të vogël për të vlerësuar rezultatet e këtyre aktiviteteve të realizuara.
- Ofrimi i feedback-ut (komenteve, mendimit, vlerësimit)
Kompania duhet të ofrojë feedback të rregullt për të gjithë punonjësit për të kuptuar se si po përparon zhvillimi i tyre profesional. Feedback-u mund të ndihmojë në motivimin e punonjësve që duan të mësojnë dhe të rriten me kompaninë. Monitorimi i performancës mund të ndihmojë gjithashtu në identifikimin e nevojave për trajnim, si dhe të atyre punonjësve që janë gati për t’u promovuar në pozicione drejtuese. Procesi i feedback-ut është një nga aspektet më të çmuara për një kandidat menaxher pasi pozicioni i propozuar i ardhshëm është deri diku i panjohur për të. Kjo është arsyeja pse duke dhënë komente, pronari ose menaxheri i NMVM-ve mund ta ndihmojë kandidatin të njihet me kufijtë e rinj të përgjegjësive, aftësive dhe çështjeve që do të përballet në detyrën e re.
- Trajnimi me qëllim të mbështetjes së progresit
Kompania po ashtu duhet të ofrojë mundësi trajnimi dhe zhvillimi për punonjësit që përgatiten për pozicione drejtuese dhe për ata që tashmë janë në pozicione drejtuese. Trajnimet formale si brenda kompanisë ose të ofruara nga ofruesit e jashtëm janë jetike për kandidatët që të përgatiten për pozicionet e mundshme menaxheriale. Trajnime të vazhdueshme duhet t’u ofrohen po ashtu edhe punonjësve që veçse mbajnë pozicione drejtuese me qëllim të nxitjes së rritjes dhe zhvillimit dhe për të zbatuar në mënyrë efektive politikat dhe procedurat e kompanisë. Kjo për faktin e thjeshtë se NMVM-të sot janë shumë dinamike dhe po rriten në shumë dimensione në të njëjtën kohë andaj trajnimet janë instrument kyç për ta mbajtur biznesin në hap me ndryshimet.
Pra, si konkluzion i kësaj që u tha deri më tash:
- Pronarët dhe menaxherët e NMVM-ve duhet të bëjnë përpjekje të veçanta dhe të ndajnë një buxhet për rekrutimin e stafit të kualifikuar,
- Duhet të bëhen investime për të përmirësuar aftësitë menaxheriale të stafit ekzistues, si dhe njohuritë dhe aftësitë e tyre teknike,
- Duhet të krijohet një habitat pozitiv brenda kompanisë për t’u mundësuar kandidatëve potencialë për pozita drejtuese të zhvillojnë veten,
- Përpara se dikush të emërohet si menaxher brenda një NMVM-je, përmes një lloj programi “praktik”, kandidatëve potencial duhet t’u ndahen detyra dhe përgjegjësi të reja si p.sh përgjegjësia e projektit dhe udhëheqja e ekipit me qëllim të përmirësimit të shkathtësive të tyre për të vlerësuar potencialin e stafit
- Feedback-u është një nga përbërësit më të rëndësishëm të procesit që duhet mbajtur parasysh.